Banka e Japonisë (BOJ) rriti normën bazë të interesit në 1.25%, niveli më i lartë në 31 vjet, dhe sinjalizoi se është e gatshme të vijojë me shtrëngimin e politikës monetare, ndërsa inflacioni po afrohet me objektivin 2%.
Vendimi u miratua me shtatë vota pro dhe dy kundër. Anëtarët e bordit Toichiro Asada dhe Ayano Sato votuan kundër rritjes së normës.
Guvernatori i Bankës së Japonisë, Kazuo Ueda, deklaroi në konferencën për shtyp pas vendimit se “faza e politikës sonë ka ndryshuar”, duke sinjalizuar kalimin nga përpjekjet për të nxitur inflacionin drejt kontrollit dhe stabilizimit të tij pranë objektivit 2%.
BOJ nuk përcaktoi paraprakisht ritmin e rritjeve të ardhshme të normave. Megjithatë, sinjalet e bankës sugjerojnë se vendimet mund të merren në mënyrë më fleksibël, në varësi të ecurisë së inflacionit, kursit të jenit dhe zhvillimeve ekonomike ndërkombëtare.
Sipas Junki Iwahashi, ekonomist i lartë në Sumitomo Mitsui Trust Bank në Tokio, dobësimi i jenit mund të jetë një nga faktorët kryesorë që do të përcaktojë hapat e ardhshëm. Nëse presioni për zhvlerësimin e monedhës japoneze shtohet, BOJ mund të rrisë normat më shpejt, ndërsa një stabilizim i jenit mund të shtyjë rritjet e ardhshme.
Edhe Jessica Hinds, drejtoreshë për ekonominë në Fitch Ratings në Londër, e interpretoi qëndrimin e guvernatorit Ueda si një sinjal për vijimin e politikës shtrënguese.
“BOJ nuk ka më nevojë të stimulojë inflacionin, por tani duhet të stabilizojë inflacionin bazë rreth 2%”, tha Hinds.
Sipas saj, megjithëse Ueda nuk dha një ritëm të caktuar për rritjet e ardhshme dhe as nivelin ku mund të ndalen normat, deklaratat e tij sugjerojnë se ritmi më i shpejtë i rritjes së interesave mund të vazhdojë.
Vendimi i Bankës së Japonisë vjen një ditë pasi kryeministrja Sanae Takaichi riorganizoi kabinetin e saj, ndërsa qeveria po përpiqet të bindë tregjet se politikat për nxitjen e rritjes ekonomike nuk do të dobësojnë pozicionin fiskal të Japonisë. / Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


