Bebe Rexha është kthyer pas në kujtimet e fëmijërisë, duke rrëfyer disa nga momentet që ka përjetuar gjatë vizitave të saj në Maqedoni dhe veçanërisht atmosferën e dasmave shqiptare.
Në një intervistë për “Flaunt Magazine”, këngëtarja me origjinë shqiptare tregoi se vizitat në Maqedoni ishin të lidhura ngushtë me festat familjare dhe dasmat, të cilat sipas saj ishin të shumta dhe mund të zgjasnin për ditë të tëra.

Rexha kujtoi se në një vit mund të merrte pjesë edhe në shtatë dasma, ndërsa festimet shpesh vazhdonin deri në orët e para të mëngjesit.
Më ka mbetur në mendje që mund të shkoja në shtatë dasma në vit dhe ato zgjasnin për disa ditë, shpesh deri në orën 3 të mëngjesit
-tregoi ajo, duke sjellë në vëmendje një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë së saj.

Por, mes gjithë zhurmës, njerëzve dhe festës, duket se ishte muzika ajo që i ka lënë gjurmën më të fortë këngëtares.
Në kulturën tonë, gjithçka ka të bëjë me muzikën. Ne gjithmonë kërcejmë dhe festojmë
-u shpreh Rexha.
Këto kujtime nuk janë thjesht pjesë e së kaluarës së saj. Rexha ka folur edhe për mënyrën se si tingujt ballkanikë, të cilët i dëgjonte që në fëmijëri, kanë ndikuar në formimin e saj muzikor. Sipas “Flaunt”, ajo e lidh këtë atmosferë me muzikën e saj të sotme dhe me albumin e ri Dirty Blonde.

Në veçanti, kënga “Çike Çike”, ku Rexha këndon në shqip, është një tjetër shenjë e lidhjes së saj me kulturën dhe gjuhën shqiptare.
Për Bebe Rexhën, duket se ato netë të gjata me muzikë, kërcim dhe njerëz që festonin së bashku kanë mbetur një pjesë e rëndësishme e identitetit të saj. Ajo e përshkruan këtë frymë si një kulturë ku muzika nuk është thjesht argëtim, por një mënyrë për t’u bashkuar dhe për të festuar.

Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse, edhe pas kaq shumë vitesh, kujtimi i një dasme shqiptare që përfundonte në 3 të mëngjesit vazhdon të jetë një nga ato histori fëmijërie që Bebe Rexha nuk e ka harruar.


