Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë së 78-të të Emmy Awards ishte homazhi për aktoren e ndjerë Catherine O’Hara, ku Macaulay Culkin nuk mundi t’i mbante lotët teksa kujtonte gruan që për miliona njerëz mbetet “mamaja” e Kevin McCallister në “Home Alone”.
Culkin iu bashkua në skenë Annie Murphy dhe Dan Levy, dy aktorët që luajtën fëmijët e O’Hara në “Schitt’s Creek”, për të nderuar kujtimin e aktores gjatë segmentit “In Memoriam”. O’Hara u nda nga jeta më 30 janar 2026, në moshën 71-vjeçare.

Duke folur për të, Culkin e nisi me një referencë prekëse ndaj rolit të saj në “Home Alone”, ku O’Hara luante Kate McCallister, nënën e Kevin-it.
E kujtojmë si nënën harraqe, apo jo? Por unë nuk do ta harroj kurrë
-tha ai, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë historisë së filmit.

Më pas, zëri i tij u bë më emocional teksa shpjegoi se marrëdhënia e tyre nuk ishte thjesht ajo e dy aktorëve që kishin ndarë ekranin.
Ka shumë fjalë që mund të përdor për ta përshkruar Catherine. Ajo ishte inkurajuese, e ngrohtë, qesharake, por fjala që më vjen në mendje është ‘mama’
tha Culkin.
Ajo nuk ishte vetëm gruaja dhe nëna e Bo, Matthew dhe Luke. Ajo ishte mamaja ime. Ajo ishte mamaja jonë dhe, në një farë mënyre, mamaja e të gjithëve ne
-vijoi aktori.
Culkin shfrytëzoi gjithashtu momentin për t’u drejtuar publikut me një mesazh të thjeshtë, por tepër emocional: të mos harrojnë njerëzit që kanë pranë.
Telefonojeni nënën tuaj sonte. Përnjëmend. Jepuni një përqafim mamave
-tha ai.
Aktori kujtoi gjithashtu se, edhe shumë vite pas përfundimit të filmave “Home Alone”, O’Hara vazhdonte të ishte aty për të. Sipas Culkin, ajo “gjithmonë shfaqej” kur ai kishte nevojë për të, një cilësi që ai e konsideronte pjesë të veçantë të karakterit të saj.
Në fund, ai iu rikthye me humor të hidhur historisë së filmave, ku Kate McCallister “harron” djalin e saj Kevin jo një, por dy herë.
Ajo mund të më ketë harruar dy herë, por ne do ta kujtojmë gjithmonë
-tha Culkin.
Edhe Annie Murphy dhe Dan Levy ndanë kujtimet e tyre për O’Hara, duke folur për humorin, krijimtarinë dhe bujarinë e saj. Murphy tregoi se edhe pas vdekjes së aktores kishte hasur njerëz të panjohur që ndanin me të histori dhe kujtime për të, ndërsa Levy tha se mësimi më i madh që kishte marrë prej saj ishte:
Gjithmonë thuaj po.
Catherine O’Hara la pas një karrierë prej pesë dekadash, nga “SCTV” dhe filmat “Home Alone” e “Beetlejuice”, deri te roli ikonë i Moira Rose në “Schitt’s Creek”, për të cilin fitoi një Emmy.
Për Culkin, megjithatë, ajo nuk do të mbetet thjesht një aktore e madhe. Në skenën e Emmy-ve, ai e bëri të qartë se për të dhe për miliona njerëz që u rritën me “Home Alone”, Catherine O’Hara do të jetë gjithmonë një figurë shumë më personale: mamaja që nuk do të harrohet kurrë.


