Serenay Sarıkaya dhe Mert Demir kanë kaluar një tjetër moment të tensionuar në marrëdhënien e tyre, por ndarja këtë herë duket se ka zgjatur vetëm 48 orë.
Sipas raportimeve nga mediat turke, çifti pati një debat të vogël ditët e fundit dhe vendosi përkohësisht të qëndronte i ndarë. Megjithatë, kriza nuk zgjati shumë, pasi një gjest romantik nga Mert Demir thuhet se bëri që dyshja të linte pas hatërmbetjen dhe të rikthehej bashkë.

Detajet e sakta të gjestit nuk janë bërë publike, por raportimi e përshkruan atë si një surprizë romantike që ndihmoi në shkrirjen e akullit mes tyre.
Sipas burimit, bëhej fjalë për një debat të zakonshëm mes një çifti dhe jo për një krizë që rrezikonte seriozisht lidhjen. Pas rreth dy ditësh larg njëri-tjetrit, ata vendosën të pajtoheshin dhe t’i jepnin sërish një shans marrëdhënies.

Historia e tyre është shoqëruar herë pas here me aludime për ndarje, edhe pse çifti ka vazhduar të shfaqet së bashku. Në maj, Sarıkaya dhe Demir u fotografuan duke dalë të kapur për dore nga një qendër bukurie në Stamboll, ndërsa kur u pyet për marrëdhënien, këngëtari u përgjigj shkurt:
Gjithçka është në rregull, faleminderit.
Dyshja ka treguar gjithashtu momente romantike në publik. Në maj, Sarıkaya publikoi një fotografi me Demirin dhe çifti u shfaq duke kërcyer së bashku në një event, duke i dhënë fund sërish spekulimeve për probleme mes tyre.

Madje, Mert Demir ka treguar më herët se kujdeset për të dashurën e tij përmes gjesteve të vogla romantike. Ai ka rrëfyer se çdo mëngjes i çon Sarıkayas dy kafe dhe një lule, një ritual që duket se është kthyer në një pjesë të marrëdhënies së tyre.
Ndërkohë, muajt e fundit çifti ka kaluar edhe momente të tjera të rëndësishme së bashku, përfshirë një udhëtim në Tajlandë dhe më pas pjesëmarrjen në Javën e Modës në Milano. Në kthim, të dy deklaruan se kishin kaluar “një pushim të bukur” dhe se “gjithçka ishte në rregull”.
Pra, ndonëse një tjetër krizë e shkurtër i vuri në qendër të vëmendjes, këtë herë duket se dashuria fitoi sërish. Serenay dhe Mert janë bashkë, dhe një gjest romantik mjaftoi për t’i dhënë fund vetëm 48 orëve të ftohtësisë mes tyre.


