Vizitat e liderëve të vendeve fqinje në Pustec dhe shtimi i projekteve e donacioneve bullgare në zonën e Prespës ngrejnë pikëpyetje edhe për një lidhje të mundshme me zgjedhjet lokale të vitit 2027.
I pyetur nëse këto zhvillime kanë lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale në Shqipëri, ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Ivajlo Kirov, tha se kjo është çështje e politikës së brendshme shqiptare, për të cilën ai nuk mban përgjegjësi.
“ Kjo është politikë e brendshme e Shqipërisë dhe jo e imja. Unë nuk jam vetëm në rajonin e Prespës. Ne kemi katër projekte të mëdha për zhvillim edhe në zona të tjera. Një nga projektet lidhet me parandalimin e krimit, e cila është edhe një nga klauzolat e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Por vizitat e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në Pustec kanë sjellë në vëmendje edhe çështjen e identitetit të komunitetit që jeton në këtë zonë.
I pyetur për deklaratat e bëra gjatë këtyre vizitave dhe për identitetin e popullsisë së Pustecit, ambasadori bullgar u tregua i rezervuar, duke theksuar se nuk komenton qëndrimet e përfaqësuesve të shteteve të tjera.
“Unë mund të mbaj përgjegjësi vetëm për fjalët e mia dhe nuk komentoj deklaratat e përfaqësuesve të shteteve të tjera. Në lidhje me popullsinë, ajo përcaktohet nga të dhënat e INSTAT. E rëndësishme për ne është të punojmë me Shqipërinë. Unë nuk jam vetëm këtu, por edhe në zona të tjera dhe do t’i shihni aktivitetet tona”, tha Kirov.
Nga Pusteci, ambasadori bullgar përcolli kështu mesazhin se projektet bullgare nuk janë të përqendruara vetëm në zonën e Prespës, ndërsa për çështjet e identitetit dhe zhvillimeve politike në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2027, ai preferoi të mos mbajë qëndrim.
/vizionplus.tv


