Partia Demokratike kërkon miratimin e një kuadri të ri ligjor që garanton garë publike ndërkombëtare për çdo ortak privat, duke u nisur nga denoncimet që kanë shoqëruar kompaninë e prodhimit të armëve Kayo.
Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, deklaroi se skema që është përdorur për ngritjen e kësaj kompanie garanton përjashtimin e saj nga proceset konkurruese, ndërkohë që shmang çdo kontroll se ku shkojnë paratë e buxhetit të shtetit.
“Pse asnjë institucion nuk i kontrollon dot? Sepse të tre ligjet që janë thelbësore për kontrollin e fondeve publike (ligji për prokurimin publik, ligji për veprimtarinë e KLSH-së, auditi i brendshëm) nuk arrijnë dot të operojnë kur shumicën e bordit dhe pronësinë reale e ka privati. E thënë thjesht, këto shoqëri blejnë ku të duan, me çmimin që vendosin ato vetë dhe ia shesin shtetit pa tender, pa auditim dhe pa llogaridhënie. E askush nuk kupton dot asgjë ku përfundojnë paratë”, tha Eno Bozdo, nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, PD.
Bozdo propozoi vendosjen e një moratoriumi për të mbrojtur pasurinë publike.
“Kërkojmë me forcë një moratorium, një ndalesë, një ngrirje të të gjitha shoqërive publike me asete, sado pak të jenë asete shtetërore, shoqëri edhe të përbashkëta private, shtetërore. Numri i tyre nuk mund të rritet dhe duhet të kuptojmë për të gjitha kompanitë e tjera çfarë transaksionesh duan të hyjnë dhe çfarë duan të bëjnë, sepse asnjëri nuk jep garanci që pasi kjo skemë të mbyllet dhe në sektorin e shëndetësisë, mos dalë një skemë tjetër, t’ju them unë pyjeve, për shembull, që të operohet në të njëjtën mënyrë”, u shpreh Bozdo.
PD propozon një politikë kombëtare të pronësisë shtetërore, sipas modelit që kanë vendet e BE. Sipas Bozdos, kjo politikë kombëtare arsyeton pse nevojiten kompani publike në sektorët përkatës dhe raportimi bëhet para Parlamentit.


