Amal Clooney u shfaq me një paraqitje elegante gjatë vizitës së saj në Athinë, ku mori pjesë në një aktivitet të UNESCO-s kushtuar marrëdhënies mes inteligjencës artificiale dhe kulturës.
Avokatja e njohur për të drejtat e njeriut zgjodhi një kostum të bardhë me tri pjesë, duke kombinuar pantallonat e gjera me një jelek dhe xhaketë të përshtatur. Pamjen e kompletoi me aksesorë në tonalitete neutrale, vathë të artë, çantë të bardhë dhe syze të mëdha.

Clooney ndodhet në kryeqytetin grek në kuadër të Takimit të Ambasadorëve të Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, i cili këtë vit u zhvillua për herë të parë jashtë selisë së organizatës në Paris.

Ajo mori pjesë në një diskutim me temën “Inteligjenca Artificiale dhe Kultura”, të zhvilluar pranë Tempullit të Zeusit Olimpik. Në takim u diskutuan ndikimi i teknologjisë së re mbi kulturën dhe trashëgiminë kulturore, si dhe sfidat që sjell inteligjenca artificiale për mbrojtjen e tyre.

Gjatë qëndrimit në Athinë, Amal Clooney u prit edhe në Pallatin Presidencial nga presidenti grek Konstantinos Tasoulas.
Vizita e saj lidhet me ftesën e Konstantza Sbokou Konstantakopoulou, ambasadores së re të UNESCO-s për Mbrojtjen dhe Promovimin e Kulturës. Clooney zhvilloi gjithashtu takime me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe bashkëshorten e tij, Mareva Mitsotakis.

Paraqitja e saj në kostumin e bardhë erdhi pas një tjetër look-u të vërejtur gjatë vizitës në Athinë. Më herët, Clooney ishte shfaqur me një kostum të kuq të markës Bottega Veneta, të cilin e kishte veshur për herë të parë në vitin 2017.
Rikthimi i një veshjeje të vjetër në një event të rëndësishëm tregon gjithashtu qasjen e saj ndaj modës: pjesët klasike mund të rikthehen dhe të duken po aq aktuale edhe vite më vonë.

Vizita në Athinë pritet të përmbyllet me një darkë zyrtare në Muzeun e Akropolit, ku të ardhurat do të shkojnë për Fondin e UNESCO-s për Kulturën, në mbështetje të luftës kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore.


