Helen Mirren tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj elegante në premierën e sezonit të dytë të serialit “MobLand”, në Londër.

Aktorja 81-vjeçare u shfaq në tapetin e kuq së bashku me kolegët e saj, Tom Hardy dhe Pierce Brosnan, duke zgjedhur një pamje glamuroze që u komentua për elegancën dhe finesën.

Mirren zgjodhi për këtë mbrëmje një fustan të gjatë me mëngë të gjata, të mbuluar me detaje shkëlqyese dhe me një bisht elegant që i jepte veshjes një pamje spektakolare.

Ajo e kompletoi look-un me një çantë të vogël në ngjyrë të errët dhe vathë të gjatë, ndërsa qëndrimi i saj në tapetin e kuq solli një tjetër moment të stilit klasik të aktores.

Mirren pozoi me Tom Hardy dhe Pierce Brosnan, me të cilët ndan rolet kryesore në “MobLand”.
Hardy rikthehet si Harry Da Souza, ndërsa Mirren dhe Brosnan interpretojnë çiftin Maeve dhe Conrad Harrigan, drejtuesit e një familjeje kriminale. Sezoni i dytë do të nisë transmetimin më 18 shtator në Paramount+.

Prania e treshes në premierë vjen gjithashtu pas spekulimeve të muajve të fundit për tensione të mundshme mes Hardy-t dhe produksionit. Mirren i ka mohuar këto zëra dhe ka folur publikisht me vlerësim për kolegun e saj, duke thënë se do të dëshironte të punonte sërish me të.

Sezoni i dytë do të sjellë përplasje të reja brenda familjes Harrigan, ndërsa rivalë të rinj kërcënojnë perandorinë e tyre kriminale.

Seriali është rinovuar gjithashtu për një sezon të tretë, ku pritet të rikthehen Mirren, Hardy dhe Brosnan.


