Finalja e Kupës së Botës 2030 pritet të zhvillohet në Marok, në stadiumin e ri Hassan II, i cili po ndërtohet në qytetin Benslimane, rreth 60 kilometra larg Casablancës.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Marokut, Fouzi Lekjaa, e ka konfirmuar këtë gjatë një tubimi politik, duke bërë të ditur se stadiumi i ri pritet të jetë një nga impiantet më spektakolare të futbollit në botë.
Stadiumi Hassan II do të ketë një kapacitet prej rreth 115 mijë tifozësh, çka do ta bënte atë stadiumin më të madh në botë të dedikuar ekskluzivisht futbollit.
Kështu, nëse konfirmohet zyrtarisht nga FIFA, ndeshja më e rëndësishme e Botërorit 2030 do të zhvillohet në një impiant që synon të shkruajë historinë me kapacitetin e tij gjigant.


