Jameela Jamil ka anuluar një shfaqje të drejtpërdrejtë të podcastit të saj “Wrong Turns”, pasi po përballet me një problem shëndetësor që e ka detyruar të tërhiqet përkohësisht nga angazhimet profesionale.
Aktorja dhe aktivistja 40-vjeçare ishte planifikuar të performonte më 11 shtator në Kings Place, në kuadër të London Podcast Festival, por njoftoi se nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë. Organizatorët kanë konfirmuar gjithashtu anulimin dhe kanë bërë të ditur se po punohet për caktimin e një date të re.

Jamil e ndau lajmin përmes rrjeteve sociale, ku kërkoi falje për anulimin dhe shpjegoi se gjatë javëve të fundit ka publikuar edhe fotografi nga spitali.
Ajo tha se po përballet me një problem të papritur shëndetësor dhe se ka nevojë të largohet për pak kohë nga angazhimet për t’u rikuperuar.
Duhet të kujdesem për veten
-ishte mesazhi i saj për fansat, të cilëve u kërkoi gjithashtu të dëgjojnë sinjalet e trupit të tyre.
Jamil theksoi se kjo është hera e parë në 18 vite karrierë që është detyruar të anulojë një paraqitje apo angazhim të planifikuar.
Ajo falënderoi edhe infermierët që, sipas saj, e kanë ndihmuar gjatë kësaj periudhe dhe premtoi se do ta rikthejë shfaqjen sapo gjendja e saj shëndetësore ta lejojë.
“Wrong Turns” është një podcast komik në të cilin Jamil dhe të ftuarit e saj ndajnë histori reale, shpesh të sikletshme apo të turpshme, pa u përpjekur domosdoshmërisht t’u gjejnë një anë pozitive.
Shfaqja e 11 shtatorit ishte shitur plotësisht dhe kishte të ftuara këngëtaren Paloma Faith dhe komedianen Kyla Cobbler. Organizatorët e Kings Place kanë njoftuar se biletat do të mbeten në pritje të datës së re, ndërsa mbajtësit e tyre do të kontaktohen sapo ajo të konfirmohet.
Jamil nuk ka bërë të ditur publikisht diagnozën apo natyrën e saktë të problemit aktual shëndetësor. Megjithatë, ajo kishte folur së fundmi për një episod anafilaksie dhe simptoma që përfshinin lodhje të madhe dhe rrahje të çrregullta të zemrës; nuk është konfirmuar se këto lidhen drejtpërdrejt me gjendjen për të cilën anuloi shfaqjen.


