Një sallë e re sportive pritet të ndërtohet brenda tre muajve në SHF “Vëllazërimi” në Taftalixhe 2, në Komunën e Karposhit, përcjell TV21. Ajo do të shtrihet në një sipërfaqe prej 1.400 metrash katrorë dhe do të ketë tribunë me kapacitet për 410 vizitorë. Përveç përdorimit për mësimin e edukatës fizike, salla do të plotësojë standardet për zhvillimin e garave vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të ngjarjeve sportive dhe kulturore.
Guri i themelit të sallës u vendos sot në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, si dhe drejtuesve të komunës. Gjatë vizitës në komunë, ata inspektuan edhe punimet për asfaltimin e rrugës “Sofja”.
“Dy projektet, së bashku me TVSH-në, kushtojnë pothuajse dy milionë denarë dhe kanë për qëllim lehtësimin e mënyrës së funksionimit të banorëve në këto zona. Kur të ndërtohet salla, nxënësit do të mund të shoqërohen, të zhvillojnë shpirtin sportiv dhe të rriten në njerëz më të mirë”, tha kryeministri Mickoski.
Ministrja Janevska theksoi se salla është multifunksionale dhe se, përveç nevojave të shkollës, do të përdoret edhe për qëllime komerciale, gara sportive dhe ngjarje sportive-kulturore.
Ajo bëri të ditur se me rreth 90 milionë euro po realizohen 70 projekte në arsim.
“Së bashku me komunat, Qeveria po zhvillon një ofensivë të madhe ndërtimore për përmirësimin e infrastrukturës arsimore”, tha Janevska.


