Giorgia Meloni ka arritur atë që pothuajse çdo kryeministër italian që nga Lufta e Dytë Botërore ka dështuar ta bëjë: të qëndrojë gjatë në pushtet.
Të premten, qeveria e drejtuar nga Meloni shënoi 1,413 ditë radhazi në detyrë, duke u bërë qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane, pas regjimit të Benito Mussolinit, diktatorit fashist të Italisë.
Në këtë ditë historike për qeverinë italiane, kryeministri Edi Rama ka uruar përmes një videoje homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, për rekordin e arritur dhe qëndrueshmërinë e qeverisë së saj.
“Giorgia, lexoj që nga sot je shefja më jetëgjatë e qeverisë në historinë e republikës italiane. Por vërtet, isha mësuar keq që vetëm unë po dilja jetëgjatë”, thotë Rama.
Në mesazhin e tij, Rama e ka shoqëruar urimin me humor, duke iu drejtuar Melonit: “Tani ke vetëm një rekord për të thyer, atë timin”, duke iu referuar kohës së tij në krye të qeverisë shqiptare.
Un onore essere amici e alleati🇦🇱❤️🇮🇹 pic.twitter.com/CjrinMhCuy
— Edi Rama (@ediramaal) September 4, 2026
Megjithatë, pas festimeve, situata politike për Melonin nuk është më aq e favorshme sa në fillimet e mandatit të saj. Kur mori detyrën në tetor 2022, ajo u shfaq si një politikane që arrinte të kthente pothuajse çdo debat apo polemikë në një mundësi për të forcuar pozitat e saj.
Sot, kryeministrja italiane përballet me një sërë sfidash në rritje. Kostoja e jetesës, tensionet brenda koalicionit lidhur me mbrojtjen, përplasjet transatlantike me Donald Trump dhe forcimi i krahut nacionalist të së djathtës janë ndër problemet me të cilat duhet të përballet Meloni përpara zgjedhjeve të vitit 2027.
Rekordi prej 1,413 ditësh në pushtet përbën një moment të rëndësishëm për politikën italiane, por sfida e radhës për Melonin do të jetë nëse kjo qëndrueshmëri do të përkthehet edhe në një mandat tjetër pas zgjedhjeve të vitit 2027.
Mesazhi i kryeministrit Edi Rama:
“Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit.
E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza.
Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht.
Por gjithsesi duhet t’i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash.
Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë.
Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare.”
/vizionplus.tv


