Lionel Richie është liruar nga spitali dhe ndodhet tashmë në shtëpinë e tij në Los Angeles, disa ditë pasi u përball me një incident shqetësues gjatë një koncerti në St. Louis, Missouri.
Legjenda 77-vjeçare e R&B-së u shtrua në spital një ditë pas performancës në The Muny, në Forest Park, ku gjatë këngës së fundit të mbrëmjes u duk se po kishte vështirësi për të vazhduar.
Sipas Daily Mail, Richie është larguar nga njësia e kujdesit intensiv në St. Louis dhe aktualisht “po ndihet mirë” në shtëpinë e tij në Los Angeles.
Gjatë qëndrimit në spital, këngëtari iu nënshtrua kontrolleve për probleme të lidhura me zemrën, pasi u paraqit vetë në spital të shtunën, pak kohë pasi kishte përfunduar koncertin.
Në pamjet e publikuara nga Daily Mail, Richie shihet teksa performon hitin e tij të njohur “All Night Long”, por në disa momente duket se mbetet pa frymë dhe e ka të vështirë të vazhdojë të këndojë.
Situata u bë veçanërisht shqetësuese pasi këngëtari dukej se kishte vështirësi të qëndronte në këmbë. Në fillim të këngës, Richie u detyrua të ulej në një stol pianoje, ku qëndroi deri në përfundimin e performancës.
Pavarësisht momentit të vështirë, këngëtari arriti ta përfundonte shfaqjen përpara se të kërkonte më pas kujdes mjekësor.
Tashmë, Richie është kthyer në Los Angeles, ku po rikuperohet në shtëpi.


