49 mjete të reja për higjienën komunale u promovuan sot në Shkup, të siguruara përmes një projekti me mbështetjen e Bankës Botërore. Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se mekanizimi i ri do të mundësojë mbledhje më të shpejtë dhe më efikase të mbeturinave, ndërsa paralajmëroi edhe mbi 3.300 kontejnerë të rinj.
“Me mekanizim të rinovuar, pajisje të reja dhe organizim më të mirë, i japim fund problemit shumëvjeçar me mbeturinat”, theksoi Gjorgjievski.
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski theksoi se gjithsej janë blerë 19 kamionë multifunksionalë të llojeve të ndryshme, 9 kamionë të specializuar, cisterna dhe 21 automjete multifunksionale, të cilat pritet të ndihmojnë në pastrimin e rrugëve
“Në kuadër të këtij projekti do të ketë mjete për qytetin e Shkupit, Kumanovën, Prilepin, Ohërin, Tetovën, Negotinën, Kërçovën, Dibrën dhe Velesin, ndërsa shpresoj që përmes projekteve të tjera të ketë mjete edhe për komunat e tjera”, tha Nikolloski.
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se hapi i radhës do të jetë furnizimi i komunave me autobusë elektrikë për transport publik ekologjik.
“Këtu nuk ndalemi, vazhdojmë edhe më tej. Hapi i radhës është dorëzimi i autobusëve, të cilët shumë shpejt pritet të fillojnë t’u dorëzohen komunave për organizimin e transportit publik ekologjik, konkretisht autobusëve elektrikë”, u shpreh Mickoski.
Sipas autoriteteve, investimet synojnë përmirësimin e higjienës publike dhe kushteve për qytetarët në komunat përfituese.


