Gjendja me zjarret në hapësirat e hapura në vend vazhdon të jetë alarmante, ndërsa zjarrfikësit dhe shërbimet e tjera kompetente gjatë ditës së djeshme janë përballur me më shumë se 41 zjarre, kështu informoi sot drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov. Sipas tij, zjarri në Shtip, mes fshatrave Sellcë dhe Puhçe, është vënë nën kontroll pas përhapjes së shpejtë për shkak të erës së fortë. Ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë ditës, pasi rritja e temperaturave dhe forcimi i erës mund të shkaktojnë rishfaqjen e vatrave të zjarrit.
“Zjarri që shpërtheu para disa ditësh në territorin e Shtipit, mes fshatrave Sellcë dhe Puhçe, dje pasdite doli jashtë kontrollit dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë, shkova mënjëher në vendin e ngjarjes, dhe urdhërova që të angazhohen forca shtesë. Zjarrfikësit, me përpjekje të mëdha, arritën ta vënë zjarrin nën kontroll gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa ekipet vazhduan të punonin përgjatë vijës së zjarrit edhe gjatë natës. Sot në mëngjes zjarri është plotësisht nën kontroll, por në disa vende sërish shfaqen vatra zjarri. Në terren janë zjarrfikësit e Shtipit, me mbështetjen e ekipeve kundër zjarrit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët po shuajnë vatrat e reja”, u shpreh Stojançe Angellov- drejtor i DMSH-së.
Kurse zjarri në Pelister është vënë nën kontroll, por në disa pjesë vazhdojnë të shfaqen tym dhe vatra të reja. Angellov gjithashtu njoftoi se mbrëmë gjatë natës është përhapur një zjarrë i madh nga Kosova drejt Maqedonisë, me vijë zjarri mbi pesë kilometra, ndërsa ekipet në terren po përpiqen të parandalojnë rrezikimin e fshatrave përreth.
“Gjatë natës, nga ana e Kosovës drejt Maqedonisë është përhapur një zjarr i madh, i cili aktualisht po lëviz në drejtim të fshatit Graçan. Vija e zjarrit është më shumë se pesë kilometra e gjatë. Në terren janë zjarrfikësit e Shkupit, me mbështetjen e ekipeve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët po përpiqen të vendosin një kontroll të pjesshëm dhe të parandalojnë rrezikimin e fshatrave përreth, por era e zjarrit mund të ndihet edhe në disa pjesë të Shkupit”, pohoi Angellov.
Vatra të reja zjarri janë shfaqur në malin Kitka, në rajonin e Koliçanit dhe Cvetovës, ku po ndërhyjnë zjarrfikësit e Shkupit. Zjarri në kufirin Strugë–Dibër, pranë Lukovës dhe Burinecit, mbetet ndër më të vështirët, ndaj në shuarje është angazhuar edhe një helikopter i ushtrisë. Ekipet në terren po punojnë për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt vendbanimeve.


