Ariana Grande nuk i ka mbajtur dot lotët gjatë koncertit të fundit të turneut “Eternal Sunshine”, të mbajtur të martën në O2 Arena të Londrës. Këngëtarja 33-vjeçare i dha lamtumirën skenës pas tre muajsh performanca në vende të ndryshme të botës, përpara një pauze të planifikuar nga karriera dhe vëmendja e publikut.

E emocionuar dhe mes lotësh, Ariana iu drejtua fansave në skenë:
Ka qenë përvoja më e bukur dhe më e jashtëzakonshme e jetës sime dhe dua vetëm të shpreh mirënjohjen time pa shpërthyer në lot. Faleminderit nga thellësia e zemrës sime. Ka qenë diçka kaq e veçantë dhe do ta ruaj gjithmonë në zemër këtë përvojë. Kam fansat më të mirë në të gjithë botën dhe gjithmonë i kam pasur
-vazhdoi ajo.

Në fund të fjalimit, Grande shtoi:
Faleminderit që keni qenë pranë meje gjatë gjithë rrugëtimit, që nga ‘Honeymoon Avenue’ deri te Hampstead.
Emocionet u bënë edhe më të forta gjatë performancës së “One Last Time”, kur këngëtarja u kërkoi fansave ta ndihmonin të këndonte, pasi e kishte të vështirë të vazhdonte për shkak të lotëve.

Në natën e fundit të turneut, Ariana hoqi dorë nga takat e saj karakteristike dhe performoi me çizme Ugg, ndërsa vijon të rikuperohet nga një dëmtim në këmbë.
Një ditë më parë, ajo kishte shpjeguar në Instagram se po shërohej nga një “prerje e thellë”, pasi fansat e kishin vënë re duke çaluar gjatë një prej performancave.
Nuk është ndrydhje dhe as ndonjë dëmtim muskulor, por thjesht një prerje e thellë!
-kishte sqaruar këngëtarja, duke u kërkuar fansave të mos shqetësoheshin.
Shfaqja vazhdon dhe unë jam duke u rikuperuar. Mezi pres të performoj për ju sonte dhe nesër, edhe nëse do të jem disa centimetra më e shkurtër se zakonisht
-kishte shkruar ajo me humor.
Muajin e kaluar, Grande kishte sqaruar se vendimi për të marrë një pushim nga karriera ishte “planifikuar në heshtje prej shumë kohësh”.
Këngëtarja kishte këmbëngulur se nuk ishte një vendim i marrë për shkak të negativitetit apo vëmendjes së publikut, duke e përshkruar pauzën si një hap të menduar dhe të planifikuar prej kohësh.


