Prona e Will Smith në Calabasas nuk është thjesht një vilë luksoze. Ajo është një kompleks gjigant privat që ngjan më shumë me një resort ekskluziv sesa me një shtëpi të zakonshme. E shtrirë në rreth 150 hektarë, prona ka në qendër një rezidencë prej rreth 25 mijë metrash katrorë. Ndërtimi i saj zgjati plot shtatë vite dhe për realizimin e saj u angazhuan qindra mjeshtër, përfshirë marangozë, muratorë, punues guri dhe metali.

Rezidenca është projektuar nga arkitekti Stephen Samuelson dhe ndërthur ndikime nga kultura të ndryshme të Lindjes së Mesme, Afrikës, Azisë dhe Jugperëndimit amerikan. Çdo detaj është menduar për të krijuar një atmosferë unike dhe të ngrohtë. Një nga elementet më të veçanta është dera monumentale e hyrjes, e cila thuhet se dikur ka qenë pjesë e një fortese në Indinë veriore.

Brenda, dizajnerja Judith Lance ka krijuar ambiente me mobilie të punuara me dorë, materiale natyrore, tekstura të veçanta dhe elemente dekorative me ndikime nga kultura të ndryshme. Por ajo që e bën pronën edhe më të pabesueshme është madhësia dhe privatësia e saj. Ajo është aq e madhe dhe e izoluar, sa raportohet se ka edhe ZIP CODE-in e saj, i përdorur për dërgesat dhe logjistikën e pronës.


