Qëllimi kryesor i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë zbatimit të sistemit inteligjent “Qyteti i Sigurt” është veprimi jopërzgjedhës dhe profesional, me synim shpëtimin e jetëve njerëzore në komunikacion, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me përfshirjen e motoçikletave në sistemin “Qyteti i Sigurt”.
Duke folur për efektivitetin e kontrolleve teknike dhe sanksioneve të shqiptuara, Toshkovski tha se MPB-ja gjatë periudhës së kaluar ka punuar për tejkalimin e disa sfidave teknike dhe sistemore.
“Është shumë e rëndësishme të dimë se ajo që ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme gjatë dy viteve të fundit është orientuar fillimisht drejt veprimit jopërzgjedhës, profesional dhe përdorimit maksimal të sistemeve inteligjente, duke përjashtuar faktorin njerëzor, me një qëllim të vetëm – që edhe në pjesën e komunikacionit të kemi një jetë njerëzore më shumë të shpëtuar në krahasim me më parë”, deklaroi Toshkovski.
Ai rikujtoi se fillimisht ishin identifikuar dhe zgjidhur problemet me “pikat e zeza” lidhur me vendosjen e kamerave, veçanërisht në territorin e Shkupit, ndërsa më pas u zgjidh me sukses edhe detektimi i automjeteve me targa të huaja.
“Pas kësaj patëm problem me detektimin e të huajve, sepse ata nuk ishin pjesë e sistemit që ishte krijuar një vit më parë për qytetarët tanë, të cilët gjatë regjistrimit të automjetit japin të dhënat e nevojshme për krijimin e atij regjistri. Treguam se mund ta zgjidhim edhe për ta. Po, kishte disa probleme të vogla në fillim, por tani kjo nuk është më temë, ashtu siç nuk janë më temë as turmat për pasaportat dhe as pritjet në kufi lidhur me shqiptimin e kundërvajtjeve të trafikut ndaj të huajve”, shtoi ministri.
Sa i përket detektimit të kundërvajtjeve te motoçiklistët, Toshkovski sqaroi se bëhej fjalë për një problem specifik teknik, për shkak të pozitës së targave të regjistrimit.
“Problem ishin motoçiklistët dhe të gjithë ata që unë i quaj persona që shtiren si motoçiklistë, sepse motoçiklistët e vërtetë i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe mbajnë helmetë. Kishim një problem teknik se si t’i detektonim gjatë një prej kundërvajtjeve që sistemi i detekton automatikisht, pra shpejtësinë. Arsyeja është e thjeshtë: kamera për shpejtësinë detekton shasinë e përparme, pjesën e përparme të automjetit, ndërsa targa e motoçikletës ndodhet në pjesën e pasme”, tha Toshkovski.
Sipas tij, pas vendosjes së pajisjeve përkatëse në lokacionet kyçe, tashmë janë regjistruar rezultatet e para.
“E zgjidhëm edhe në një pjesë të territorit të Maqedonisë, ku fillimisht menduam se kishte kushtet më të mira për vendosjen e pajisjeve. I vendosëm dhe, nëse nuk gaboj, vetëm ditën e parë kemi konstatuar rreth 9 kundërvajtje për tejkalim të shpejtësisë nga persona që drejtonin motoçikleta dhe mendonin se nuk do të mund të detektoheshin nga ky sistem inteligjent ‘Qyteti i Sigurt’. Sinqerisht, kjo më gëzon shumë, sepse tregoi se si pjesë e një sistemi, ai po e kryen punën e tij”, përfundoi Toshkovski.
Ai theksoi se “Qyteti i Sigurt” ka dhënë rezultate, veçanërisht në uljen e numrit të viktimave në aksidentet e trafikut. Toshkovski bëri krahasim mes këtij viti dhe vitit të kaluar, duke theksuar se në vitin 2025, deri më 1 shtator, ishin regjistruar 96 viktima, ndërsa këtë vit, në të njëjtën periudhë nëntëmujore, janë regjistruar 60 viktima.
“Dhe të gjithë shtetasve të Maqedonisë dhe të huajve që tranzitojnë nëpër Maqedoni dhe i respektojnë rregullat e komunikacionit, secili prej tyre është pjesë e shpëtimit të jetëve njerëzore. Mirënjohje e madhe personale për të gjithë ju”, tha ministri.
Lidhur me atë se kur do të fillojë ndëshkimi i shtetasve të huaj që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit edhe në vendkalimet e tjera kufitare, përveç Tabanocit, Toshkovski tha se kjo mbetet sfidë për periudhën e ardhshme dhe se po shqyrtohet një zgjidhje teknike, me qëllim që të shmangen situatat e paparashikuara, si ato në Tabanoc.
“Në Tabanoc patëm, si të themi, një vlerësim të gabuar që në fillim. Vlerësuam se do të kishte rreth pesë automjete në orë, ndërsa kishim rreth 500 automjete në orë. Dhe këtu jemi duke punuar. Nuk duam që e njëjta gjë të ndodhë edhe me vendkalimet e tjera. Do të përpiqemi të organizohemi maksimalisht mirë, që të mos krijojmë ngarkesë shtesë për të huajt që tranzitojnë nëpër Maqedoni, në mënyrë që ata sa më shpejt të mund ta përmbushin atë që janë të obliguar ta bëjnë gjatë hyrjes në shtet”, tha ministri.


