Me fillimin e vitit të ri shkollor, pas plot tri dekadash nga regjistrimi i fundit, Maqedonia e Veriut sërish ka një gjeneratë nxënësish që arsimin e mesëm do ta përfundojnë me profesionin e policit. Me këtë rast gjatë vizitës në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u dorëzoi solemnisht kontratat e shkollimit dhjetë kandidatëve të parë dhe u uroi sukses në fillimin e procesit arsimor. I pyetur për kandidatë shqiptarë, Toshkovski tha se janë pranuar 11, duke theksuar se problemi nuk qëndronte te pranimi, por te numri i vogël i aplikantëve dhe paralajmëroi se në të ardhmen do të punohet për motivimin më të madh të të rinjve nga të gjitha komunitetet etnike për t’u regjistruar në këtë shkollë.
“Në tërësi nga 43 të themi nga komunitetet më të vogla, mendoj se 33, ja po më korrigjojnë 31, nga ato 510 që janë paraqitur janë kandidatë shqiptarë, ky është numri i saktë, e nga ata janë pranuar 11. Nuk është problemi në pranimin por problemi është në interesimin, këtë duhet ta zgjidhim menjëherë”, tha Toshkovski.
Fillimisht ishte planifikuar të pranoheshin 200 nxënës, por për shkak të interesimit të madh, kapaciteti u rrit me 50 për qind. Në konkurs u paraqitën 510 kandidatë, ndërsa pas verifikimit të kushteve u pranuan 310 nxënës. Si arsyet kryesore pse disa nga kandidatët nuk i plotësuan kushtet, Toshkovski përmendi sjelljen jo të mirë në shkollë dhe kriterin e gjatësisë.
“Të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur në fazën finale dhe të bëhen pjesë e shkollës së policisë, nuk i kanë plotësuar kushtet elementare që lidhen me problemin më të madh që e kishim dhe nuk mund ta ndryshojmë dhe do të ngelet ashtu edhe në të ardhmen, duhet të kenë sjellje të shkëlqyeshme, shembullore, nuk mundet që të kenë ikur nga orët mësimore dhe të jenë pjesë e shkollës së mesme policore, tek pjesa më e madhe ky është problemi dhe problemi tjetër më i madh ishte gjatësia”, u shpreh Toshkovski.
Toshkovski theksoi se rikthimi i kësaj shkolle përbën një moment të rëndësishëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për të ardhmen e policisë në vend. Ai u uroi suksese të gjithë nxënësve që janë regjistruar në gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Policisë “7 Maji”.


