Filmi i ri i Sacha Baron Cohen për personazhin e famshëm Ali G ka shkaktuar polemika në Britani, me aktivistë që kanë nisur një fushatë për t’u kërkuar kinemave të mos e shfaqin filmin, duke pretenduar se ai përforcon stereotipe raciste. Baron Cohen, 54 vjeç, publikoi javën e kaluar trailerin e parë të “Ali G: Who Iz I?”, duke rikthyer personazhin satirik pas rreth dy dekadash.
Filmi shënon edhe debutimin e aktorit si regjisor. Projekti është realizuar në fshehtësi gjatë një viti dhe vjen në formatin e një dokumentari satirik, duke ndjekur jetën e Ali G-së “që prej kohës kur bota shkoi për dreq”. Në film, personazhi shfaqet së bashku me të dashurën e tij shtatzënë, të interpretuar nga Morgana Robinson. Filmi i Amazon MGM pritet të dalë në kinema më 23 tetor.
Megjithatë, publikimi i trailerit ka shkaktuar reagime të ashpra nga disa aktivistë britanikë. Një ditë pas publikimit të tij, NewsCord, një platformë britanike për krahasimin e lajmeve dhe monitorimin e medias, nisi një fushatë që u bën thirrje kinemave në Britani dhe në vende të tjera të refuzojnë shfaqjen e filmit. Organizatorët pretendojnë se u kanë dërguar email 15 rrjeteve të mëdha të kinemave në mbarë botën, duke u kërkuar atyre të mos e shfaqin filmin. Sipas fushatës, deri të dielën ishin parashikuar rreth 41 mijë email-e në mbështetje të kërkesës.
Aktivistët akuzojnë Baron Cohen-in se po përdor satirën si “mbulesë për të përforcuar stereotipe raciste”. Në një deklaratë të publikuar në X, organizatorët argumentuan se personazhi Ali G paraqet në mënyrë stereotipike kulturën xhamajkane dhe se sjellja e tij mund të perceptohet si përforcim i imazheve negative ndaj njerëzve me ngjyrë, veçanërisht komunitetit xhamajkan.
“Ata qeshin me Ali G. Por në të vërtetë, objektivi i shakasë janë njerëzit me ngjyrë dhe, në veçanti, xhamajkanët”, pretendojnë aktivistët.
Polemika rikthen edhe një herë debatin rreth kufijve të satirës dhe mënyrës se si personazhet humoristike mund të trajtojnë racën, kulturën dhe stereotipet. Ndërsa aktivistët kërkojnë tërheqjen e filmit nga kinematë, mbetet për t’u parë nëse fushata do të ndikojë te planet e Amazon MGM për publikimin e “Ali G: Who Iz I?” më 23 tetor.


