Finneas O’Connell, vëllai dhe bashkëpunëtori i ngushtë muzikor i Billie Eilish, i ka dhënë fund beqarisë, duke u martuar me partneren e tij prej shumë vitesh, Claudia Sulewski.
Çifti shkëmbeu betimet të shtunën, në një ceremoni romantike të zhvilluar në kopshtet e San Ysidro Ranch, në Montecito të Kalifornisë, i rrethuar nga familjarë dhe miq të afërt.

Por një prej detajeve më të veçanta të ceremonisë ishte roli i Billie Eilish. Këngëtarja 24-vjeçare thuhet se pati nderin të drejtonte ceremoninë e martesës së vëllait të saj.
Billie u shfaq në dasmë me një fustan elegant ngjyrë jeshile ulliri me supe të zbuluara, ndërsa pranë saj ishte edhe i dashuri i saj, aktori 31-vjeçar Nat Wolff, shkruan DailyMail.
Ceremonia mblodhi një numër të madh emrash të njohur të Hollywood-it dhe industrisë së argëtimit.

Mes të ftuarve ishin Nina Dobrev, Kristen Bell, Dax Shepard, Justin dhe Hailey Bieber, Emma Chamberlain, Rachel Sennott, Stassie Karanikolaou, Jason Sudeikis dhe Carter Gregory.
Claudia Sulewski, 30 vjeçe, kishte zgjedhur jo një, por katër fustane të personalizuara nga Oscar de la Renta për festimet e saj.
Ndërkohë, Finneas, 29 vjeç, u shfaq elegant me një smoking klasik të zi.

Finneas dhe Claudia janë bashkë që prej vitit 2018. Dyshja u njoh në aplikacionin ekskluziv të takimeve Raya dhe marrëdhënia e tyre vazhdoi për vite me radhë larg zhurmës së madhe mediatike.
Pas shtatë vitesh lidhje, Finneas i propozoi martesë Claudias vitin e kaluar, gjatë një udhëtimi të organizuar në mënyrë sekrete.
Tashmë, historia e tyre ka hyrë në një kapitull të ri. Dhe në një ceremoni intime mes gjelbërimit të Kalifornisë, me familjen, miqtë dhe disa prej emrave më të njohur të showbiz-it pranë tyre, Finneas dhe Claudia i thanë “po” njëri-tjetrit, me Billie Eilish që pati një rol krejt të veçantë në ditën e tyre të madhe.


