Një sulm me dronë rusë në rajonin e Kievit ka shkaktuar të paktën 27 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sulmi goditi një magazinë në distriktin e Buchas, ku pas shpërthimeve të njëpasnjëshme shpërtheu edhe një zjarr i fuqishëm. Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 400 persona janë evakuuar nga zona, ndërsa 42 të tjerë, mes tyre katër fëmijë, kanë mbetur të plagosur.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijuan edhe gjatë orëve të para të së shtunës. Autoritetet ukrainase kanë nisur një hetim për të përcaktuar nëse në objekt po ruheshin municione dhe nëse ka pasur neglizhencë në respektimin e rregullave të sigurisë.
Presidenti Volodymyr Zelensky, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se më shumë se 300 punonjës të emergjencave janë angazhuar në vendngjarje.
Zelensky theksoi se municionet nuk duhet të ruhen pranë banesave dhe paralajmëroi se do të zbulohen përgjegjësit.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivi ishte një depo municionesh në fshatin Myla, në rajonin e Kievit, ku sipas Moskës ruheshin komponentë dhe përforcues për dronët me rreze të gjatë.
Në një tjetër sulm në distriktin e Boryspilit, autoritetet ukrainase raportuan vrasjen e një 14-vjeçari.
Ndërkohë, presidenti ukrainas tha se sulme të tjera ruse gjatë natës janë regjistruar edhe në zona të tjera të vendit. Ushtria ukrainase deklaroi se ka rrëzuar 233 dronë rusë gjatë natës.
Nga ana tjetër në Rusi, autoritetet lokale raportuan dy persona të vrarë dhe 21 të plagosur nga sulmet në rajonet Belgorod dhe Rostov gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërkohë, kompania ruse e shitjeve online Ozon bëri të ditur se një prej qendrave të saj logjistike është goditur nga një sulm me dronë ukrainas. Kompania tha se ka pezulluar aktivitetin edhe në një tjetër qendër dhe ka evakuuar punonjësit për shkak të rrezikut.
Sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës logjistike ruse janë intensifikuar javët e fundit, ndërsa Kievi pretendon se disa prej këtyre objekteve lidhen me furnizimin e ushtrisë ruse.


