Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa vuri në dukje procesin e ripërtëritjes dhe modernizimit të PD-së.
Berisha e cilësoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar si një moment të rëndësishëm për transformimin e partisë.
Berisha: PD mblodhi Këshillin e saj Kombëtar kushtuar ripërtëritjes dhe rolit të anëtarit të kësaj partie në procesin e ripërtëritjes. Domosdoshmërisë jetike të transformimit të saj si një forcë që ecën e sigurt drejt fitores, drejt pushtetit.
Në të njëjtën kohë, ai sulmoi mazhorancën, duke pretenduar se lidhja mes shtetit dhe partisë në pushtet po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa kjo e fundit, sipas tij, ndodhet në një situatë paniku dhe shpërbërjeje.
Berisha: Në kah të kundërt janë zhvillimet për partinë e krimit. Kjo parti, siç konstatoni, kalon nga një vilë e kuqe në një vilë tjetër të kuqe qeveritare, për të faktuar këtu se, shteti dhe partia janë një. Ikën dhe u shmanget qytetarëve, protestuesve, anëtarëve të saj. Në panik dhe e pashpresë, de facto ajo po shpërbëhet.
Kreu i PD-së, u ndal edhe te arrestimi i Ergys Agasit, më 26 gusht, duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe mënyrës së trajtimit të çështjes nga drejtësia.
Berisha e cilëson Agasin si një prej personave më të fuqishëm dhe të rrezikshëm të lidhur, sipas tij, me pushtetin dhe botën e krimit, ndërsa ngre dyshime për mënyrën e arrestimit dhe pretendon se ai mund të ketë qenë i negociuar. Berisha akuzon gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ka ndikuar në ndryshimin e akuzës për pengmarrje.
Berisha: Ergys Agasi kishte të përqendruar në duart e tij të gjithë fuqinë e autorizuar nga pushteti ekzekutiv i padrinos. Të gjithë pushtetin e zi, të errët të karteleve të drogës, dhe mjerisht të gjithë fuqinë e kontrollit të internetit në territorin e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, ai padyshim ishte krahu i djathtë, eksponenti më i rrezikshëm i mafies pas padrinos, pas Edi Ramës, në Shqipëri dhe më gjerë. Që në momentin e arrestimit, se ai ka tetë muaj që lëviz lirshëm absolutisht pa asnjë pengesë, lëviz në Durrës, në Xhafzotaj, në vilën e tij në plazh, në Manzë, për hir të të vërtetës edhe në Surrel dhe në hipodromin e tij.
Pra, që në fillim lindën dyshime se kemi të bëjmë me një arrestim të negociuar. Qytetarët digjitalë informuan se këto negociata janë realizuar nga Taulant Balla në Elbasan, gjë që duhet hetuar.
E vërteta është se, njëlloj si Balili, edhe ky kishte një polic si oficer. Dhe ky polic ditën që po transportonte Agasin nga Elbasani në Durrës, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave në Akademinë e Policisë. U gjetën me nallane, bluza pa kurrfarë mjeti mbrojtës dhe armë. Pra, të gjitha këto çuan dyshimet se kishim të bënim me një arrestim të negociuar.
Por dyshimet janë dyshime, nuk mund të merren si të mirëfillta. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndë, ajo që fakton dorën e zezë të Edi Ramës, është çlirimi i tij nga akuza e pengmarrjes. Dhe ky është një akt shumë i rëndë.
Ergys Agasi ëshutë personi i implikuar direkt në organizimin e dy pengmarrjeve. Edi Rama ka urdhëruar që të hiqet termi pengmarrje dhe të quhet heqje lirie. Janë dy kategori, të cilat kanë vepra penale me dallim të madh në penalitete. Në mënyrë qesharake, akuzohet për pabarazi në tendera një njeri që zyrtarisht me ligj, me rregullore nuk ka pasur autoritet për të zhvilluar asnjë tender. Por përkundrazi, ka përdorur dhunën, forcën për të diktuar për shumë e shumë tendera.
Ndaj dhe del Maksi, avokati i tij i nderuar dhe thotë se të akuzosh për pabarazi në tendera, po të thonë se cilat tendera ka organizuar ai në hipodrom. Kjo është si ta mbrojnë o miqtë e mi. Po mo, nga hipodromi dhe nga zyra e tij ai ka diktuar çdo tender dhe kjo është krejt tjetër.


