Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar situatën aktuale politike në vend, duke thënë se moskonstituimi i Kuvendit e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.
Tahiri, përmes një postimi, ka thënë se shumica parlamentare, duke mos e ushtruar detyrën kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, e ka sjellë vendin në një pikë kritike.
“Kosova është në një depresion të thellë shoqëror. Sot, duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit, kjo shumicë parlamentare e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka paralajmëruar se gjendja në vend po përkeqësohet dhe po ndërlidhet edhe me çështje të sigurisë dhe ekonomisë, duke theksuar se kriza politike, sipas tij, ka arritur në një nivel të paprecedentë në historinë demokratike të Kosovës.
“Gjendja në vend është ka agravon dhe është ka vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe me aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe me aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe që e mban gjallë shtetin, dhe mbi të gjitha, një krizë politike e cila nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë të vendit tonë”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka akuzuar më tej se qasja aktuale politike, sipas tij, synon ta çojë Kosovën drejt një “krize identitare”, duke e lidhur këtë me zhvillime të rëndësishme historike për vendin.
“Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky koncept e ka vetëm një qëllim. Dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare të cilën historikisht e ka luftuar. Ky konstelacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë në kohën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe në kohën kur NATO ka hyrë në Kosovë. Ky konstelacion politik ka qenë në anën e kundërt, në të kundërtën e historisë kur është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, aktualisht po tentohet të ndërtohet një narrativë që e konsideron të rreme dhe që, siç shprehet ai, është në kundërshtim me përpjekjet historike për krijimin e shtetit të Kosovës.
“Ky konstelacion politik sot është duke u munduar ta ndërtojë një tregim, një tregim i cili është tregim i rremë, është tregim kundër çdo përpjekjeje historike të kombit shqiptar në Kosovë, të krijimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Në fund, Tahiri ka deklaruar se nuk do të lejojnë, sipas tij, që të cenohet ajo që e cilëson si arritjen më të madhe kombëtare – pavarësia e Kosovës.
“Këtë nuk do ta lejojmë. Këtë nuk do t’ia mundësojmë. Ne nuk kemi vend tjetër, as shtet tjetër dhe as arritje më të madhe kombëtare se pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se për pavarësinë e Kosovës kanë sakrifikuar gjenerata të tëra dhe se, sipas tij, ekziston obligimi për të mbrojtur këtë arritje.
“Kjo pavarësi është arritja më e madhe e kombit shqiptar. Për këtë tanimë ka sakrifikuar gjeneratë pas gjenerate, e kemi obligim me qenë këtu në vendin e punës tonë dhe me mbrojtur arritjen tonë më të madhe kombëtare”, ka shtuar Tahiri.


