Steven Tyler ka siguruar një fitore të pjesshme ligjore në betejën gjyqësore me ish-të dashurën e tij, Julia Misley, e cila e akuzon këngëtarin për abuzim seksual kur ajo ishte adoleshente në vitet ’70.
Tyler, 78 vjeç, i ka mohuar më herët akuzat. Ndërkohë, gjykatësja e Gjykatës së Lartë në Los Angeles, Patricia A. Young, ka rrëzuar disa prej pretendimeve të Misley-t, ndërsa gjyqi pritet të nisë më 21 shtator.
Sipas vendimit të gjykatës, Misley nuk do të lejohet të paraqesë prova lidhur me pretendimin se kishte kryer një abort gjatë kohës së marrëdhënies me Tyler. Ajo është kufizuar gjithashtu në paraqitjen e pretendimeve për sulme të tjera të dyshuara që, sipas saj, kanë ndodhur pasi kishte mbushur 18 vjeç, shkruan DailyMail.
Gjykata vendosi gjithashtu se Misley nuk mund ta cilësojë Tyler-in si “përdhunues” apo “kriminel”, nëse gjatë procesit nuk paraqiten prova të mjaftueshme për të mbështetur këto pretendime.
Çfarë do të lejohet të paraqitet në gjyq?
Pavarësisht kufizimeve, Misley do të ketë mundësi të paraqesë disa prova që lidhen me marrëdhënien e saj me këngëtarin.
Ajo mund të argumentojë se Tyler ishte prezantuar si kujdestari i saj dhe se i kishte premtuar mbështetje për arsimimin, trajtimin mjekësor apo nevoja të tjera të saj.
Gjithashtu, ajo do të mund të flasë për konsumimin e drogës dhe alkoolit gjatë incidenteve të pretenduara që, sipas saj, kanë ndodhur në Kaliforni.
Vendimi i fundit ka bërë që çështja që do të shkojë në gjyq të jetë shumë më e kufizuar se pretendimet fillestare.
Pjesa më e madhe e akuzave që lidhen me marrëdhënien e tyre trevjeçare dhe incidentet e pretenduara në disa shtete janë rrëzuar.
Në qendër të procesit tashmë ka mbetur një incident i pretenduar i vitit 1974, i cili, sipas Misley-t, ka ndodhur në një vaskë të nxehtë në një hotel në Kaliforni.
Me nisjen e gjyqit më 21 shtator, pritet që ky episod të jetë një prej pikave kryesore të përballjes ligjore mes këngëtarit të Aerosmith dhe ish-partneres së tij.


