Një rrëfim i dhimbshëm, i mbajtur larg vëmendjes së publikut për vite me radhë. Brian Austin Green ka zbuluar se më shumë se një dekadë më parë kaloi një betejë të rëndë shëndetësore, e cila përfundoi duke i ndryshuar për vite të tëra jetën.
Aktori i njohur nga “Beverly Hills, 90210” tregoi se vuajti nga një problem neurologjik, simptomat e të cilit ngjanin me ato të një goditjeje në tru. Gjendja ishte aq e rëndë, sa për një periudhë ai humbi aftësinë për të lexuar, shkruar, folur dhe ecur normalisht.
Dhe më e vështira? Mjekët nuk arritën kurrë të përcaktonin plotësisht se çfarë kishte ndodhur me të.
Green e ndau historinë e tij gjatë një episodi të podcastit “Really Famous”, të transmetuar më 26 gusht, duke rikujtuar një prej periudhave më të vështira të jetës së tij.
Simptomat nisën kur aktori ishte vetëm 39 ose 40 vjeç, rreth viteve 2012-2013. Sipas tij, mjekët përmendën procese inflamatore që mund të lidheshin me dietën, ndërsa edhe stresi emocional u konsiderua si një faktor i mundshëm.
Përfundova duke pasur një lloj problemi neurologjik dhe simptoma të ngjashme me goditjen në tru
-tha Green.
Por ajo që përjetoi më pas ishte një betejë e gjatë për të rikthyer aftësitë më elementare.
Më duheshin rreth katër vjet e gjysmë për t’u rikuperuar. Më duhej të mësoja përsëri si të ecja, të flisja. Më duhej të mësoja përsëri si të bëja pothuajse gjithçka
-tha ai.
Truri dhe trupi im ishin tërësisht të shkëputur
Për një moment, Green nuk ishte më në gjendje të bënte as gjërat që dikur i konsideronte të zakonshme. Ai tregoi se kishte humbur edhe aftësinë për të lexuar dhe shkruar.
Nuk mund të lexoja. Nuk mund të shkruaja. Në thelb, personi që isha nuk ekzistonte më. Truri dhe trupi im ishin tërësisht të shkëputur
-tha ai.
Fjalët e aktorit japin një ide të qartë të dimensionit të betejës me të cilën u përball. Rikuperimi nuk ndodhi brenda pak javësh apo muajsh, por zgjati katër vjet e gjysmë.
Në atë periudhë, Brian Austin Green ishte i martuar me aktoren Megan Fox. Çifti u martua në vitin 2010 dhe qëndroi së bashku për dhjetë vjet, përpara se të ndaheshin përfundimisht në vitin 2020.
Green kishte folur edhe në vitin 2023 për problemet e tij shëndetësore. Në një podcast, ai tregoi se mjekët e kishin diagnostikuar me marramendje dhe kolit ulceroz dhe se për rreth tre muaj kishte qëndruar kryesisht i shtrirë në shtrat. Por pas marramendjes nisën edhe problemet neurologjike.
Këto gjëra neurologjike filluan të ndodhnin pas marramendjes. Këto ishin katër vjet e gjysmë të jetës sime. Arrita në pikën ku ecja me hapa të vegjël si një burrë 90-vjeçar
-kujtoi Green.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga fillimi i kësaj beteje, aktori ende nuk ka një diagnozë të plotë për çrregullimin neurologjik që e preku.
Ai nuk e ka bërë publik emrin e saktë të gjendjes, duke theksuar se mjekët nuk arritën kurrë ta përcaktonin plotësisht shkakun.
Sot, Green flet më hapur për atë periudhë dhe për mënyrën se si ajo eksperiencë e ndryshoi. Një rikuperim që zgjati vite dhe e detyroi të mësonte sërish të ecte, të fliste e të funksiononte në përditshmëri, i dha një tjetër kuptim shëndetit dhe jetës së tij.


