Kushëriri i Liam Payne, Ross Harris, ka ndarë për herë të parë disa detaje prekëse rreth periudhës së fundit të jetës së këngëtarit, duke folur edhe për vështirësitë që ai përjetoi gjatë viteve nën vëmendjen e vazhdueshme të publikut.
Harris tregoi se Liam e kishte telefonuar vetëm disa orë para vdekjes, por ai nuk mundi t’i përgjigjej në atë moment, pasi ndodhej në një studio muzikore. Kur tentoi ta telefononte sërish, ishte tashmë tepër vonë.

Kushëriri i tij pranoi se kjo është diçka për të cilën do të ketë gjithmonë keqardhje.
Duke folur për ndikimin e famës, Harris tha se suksesi i jashtëzakonshëm nuk i kishte sjellë Liamit vetëm mundësi, por edhe vetmi dhe izolim.
Sipas tij, këngëtari shpesh përballej me ndjesinë se nuk mund ta dinte kush e donte për atë që ishte në të vërtetë dhe kush afrohej për shkak të famës apo parave.

Liam u bë i famshëm që në moshën 16-vjeçare, kur u bë pjesë e One Direction. Për Harris, fakti që ai u rrit nën një vëmendje kaq të madhe publike ndikoi në mënyrën se si e përjetoi jetën.
Edhe pse ishte në të 30-at, në thelb ishte ende një fëmijë
-tha ai, duke iu referuar faktit se Liam nuk pati mundësinë të përjetonte një rritje normale larg kamerave.
Harris zbuloi gjithashtu se Liam kishte kaluar rreth tre muaj pa dalë nga shtëpia, pas reagimeve të ashpra që mori në rrjetet sociale për një intervistë të dhënë në vitin 2022.
Një tjetër detaj që e ka rënduar emocionalisht kushëririn e këngëtarit lidhet me ish-anëtarët e One Direction. Harris kishte menduar t’u shkruante atyre për t’u kërkuar që të kontaktonin Liamin dhe ta mbështesnin, por në fund nuk e bëri.

Ai mendoi se do të kishte ende kohë për ta bërë këtë.
Vdekja e Liam Payne në tetor 2024 e bëri edhe më të dhimbshme atë vendim për Harris, i cili tashmë e sheh telefonatën e fundit dhe mundësinë e humbur për të ndërhyrë si një nga pendesat më të mëdha të jetës së tij.


