Edhe një pacient ka ndërruar jetë dje pasdite nga ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave nga kjo sëmundje, konfirmoi sot drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana.
Bëhet fjalë për një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili kishte edhe sëmundje të rënda shoqëruese. Pacienti ishte shtruar në Klinikë para 15 ditësh, në gjendje të rëndë të përgjithshme dhe me pasqyrë të rëndë klinike.
“Për fat të keq, duhet të informoj se dje pasdite ndërroi jetë edhe një pacient”, tha Cana.
Sipas tij, pavarësisht të gjitha masave intensive të ndërmarra në Repartin e Kujdesit Intensiv, pacienti nuk arriti të mbijetojë.
Deri më sot, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive janë hospitalizuar ose vazhdojnë të jenë të hospitalizuar 51 pacientë, ndërsa 27 prej tyre janë shëruar dhe janë lëshuar nga klinika.
Aktualisht në Klinikë ndodhen 18 pacientë. Prej tyre, 15 kanë infeksion neuroinvaziv nga virusi i Nilit Perëndimor të konfirmuar laboratorikisht, ndërsa tre pacientë janë klinikisht të dyshimtë për këtë formë të infeksionit.
Pacienti më i ri në Klinikë është 26 vjeç dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, në Repartin e Kujdesit Intensiv vazhdojnë të trajtohen pesë pacientë me pasqyrë të rëndë klinike. Të gjithë janë persona të moshës së shtyrë.


