Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve po shtojnë presionin mbi sistemin energjetik të vendit. Nivelet e ulëta të ujit në akumulimet dhe prurjet e dobëta në lumenj mund të ndikojnë në prodhimin e energjisë elektrike.
Ekspertët theksojnë se vendi ka kapacitete të konsiderueshme prodhuese, por një pjesë e tyre janë të vjetruara dhe nuk mund të shfrytëzohen në kapacitetin e parashikuar. Ekspert i energjetikës, Konstandin Dimitrov thekson rritja e kapaciteteve fotovoltaike ka ndikuar në shtimin e ofertës dhe mund të krijojë kushte për çmime më të ulëta në treg, por prodhimi i energjisë nga ESM dhe ai nga prodhuesit privatë funksionojnë me kosto dhe çmime të ndryshme.
“Në letër kemi një numër të madh dhe të mjaftueshëm kapacitetesh për prodhimin e energjisë elektrike dhe, nëse ato do të punonin me kapacitet të plotë dhe në gjendje të mirë, do t’i plotësonin nevojat e të ashtuquajturit sistem i tensionit të ulët. Këtu bëjnë pjesë termocentrali Manastir, Osllomej, Negotina dhe të gjitha hidrocentralet e tjera. Nuk i përmend burimet e rinovueshme, sepse janë relativisht të papërfillshme në krahasim me termocentralet dhe hidrocentralet që kemi. Këto kapacitete janë të vjetruara dhe nuk mund të prodhojnë aq sa është parashikuar, gjë që është e natyrshme pasi jetëgjatësia e tyre po përfundon gradualisht. Ato duhet të zëvendësohen me pajisje të reja, moderne dhe në gjendje të mirë, të cilat i presim çdo ditë, por ajo ditë po vonohet gjithnjë e më shumë.”, u shpreh eksperti i energjetikës, Konstandin Dimitrov.
Sipas Dimitrovit, mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta mund të vazhdojnë të ndikojnë në prodhimin energjetik edhe gjatë muajve të ardhshëm. Për këtë arsye, çmimi i energjisë elektrike mund të jetë nën presion për rritje. Megjithatë, çmimi përfundimtar do të varet nga disa faktorë: lëvizjet në bursat ndërkombëtare të energjisë, mundësitë për import dhe eksport, kostot e prodhimit dhe furnizimit, si dhe gjendja e përgjithshme e sistemit energjetik. /rtm2


