Nga Destan JONUZI
Maqedonia e Veriut po hyn gradualisht në një tjetër cikël politik ku “zgjedhjet” po rikthehet në qendër të debatit. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk do të ikë nga përballja zgjedhore nëse opozita e kërkon. BDI-ja e Ali Ahmetit kërkon shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit. Aleanca për Shqiptarët thotë se është e gatshme. VLEN-i përgjigjet se për momentin projektet infrastrukturore janë më të rëndësishme se zgjedhjet. Ndërsa LSDM-ja e Venko Filipçes refuzon të bëhet “alibi” për një zgjedhje që, sipas saj, mund ta vendosë vetë shumica qeverisëse.
Në pamje të parë, kemi një tjetër përplasje klasike mes pushtetit dhe opozitës.
Çfarë duhet të zgjidhë Maqedonia e Veriut përpara se qytetarët të shkojnë sërish në kutitë e votimit?
Nëse informacionet që qarkullojnë në qarqet politike për një mundësi zgjedhjesh parlamentare në prill të vitit 2027 rezultojnë të sakta, atëherë vendi ka disa muaj përpara për të bërë atë që politika maqedonase e ka shtyrë prej vitesh, të ulet dhe të ndërtojë një konsensus minimal për çështjen strategjike të integrimit evropian.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi. Partitë mund të bien dakord për zgjedhje.
Por a mund të bien dakord edhe për Evropën?
Kjo është prova e vërtetë.
Sepse Maqedonia e Veriut nuk mund të kalojë pafundësisht nga një palë zgjedhje në tjetrën, nga një qeveri në tjetrën dhe nga një bllok politik në tjetrin, ndërsa çështja që mban peng hapjen substanciale të negociatave mbetet e pazgjidhur.
Bashkimi Evropian e ka përsëritur qartë qëndrimin e tij, miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakordësuara është hapi i nevojshëm për të ecur përpara drejt hapjes së negociatave. Këtë e theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës në Shkup në qershor 2026.
Edhe Parlamenti Evropian, në raportin e miratuar në qershor 2026, kërkoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të mundësonin hapjen e grupit të parë negociues.
Pra, problemi nuk është më i paqartë. Problemi është politik.
Çfarë do të ndodhë nëse partitë shkojnë në zgjedhje pa e zgjidhur këtë çështje?
Mund të ndryshojë qeveria (sipas matjeve të tanishme Mickoksi vazhdon të qeverisë). Mund të ndryshojnë ministrat. Mund të ndryshojnë raportet mes partive shqiptare dhe maqedonase.
Por një gjë mund të mbetet e njëjtë, procesi evropian i bllokuar evropian. Kjo është arsyeja pse një marrëveshje politike para zgjedhjeve do të ishte shumë më e rëndësishme sesa vetë zgjedhjet.
Jo një marrëveshje për ndarjen e ministrive. Jo një marrëveshje për pushtetin. Jo një marrëveshje për të shpëtuar një lider apo për të dobësuar një kundërshtar.
Por një marrëveshje për një objektiv shtetëror, si do të ecë Maqedonia e Veriut drejt BE-së?
Mickoski ka të drejtë në një pikë, por edhe një përgjegjësi
Kryeministri Mickoski thotë se qytetarët i kanë dhënë mandat katërvjeçar dhe se nuk është frikacak që të përballet me zgjedhjet nëse opozita i kërkon.
Kjo është një deklaratë politike që synon t’i heqë qeverisë çdo akuzë se po i shmanget zgjedhjeve. Por pikërisht për shkak të fuqisë së mandatit që mori, qeveria ka edhe një përgjegjësi më të madhe. Nëse shumica parlamentare është aq e fortë sa pretendon, nëse qeveria ka legjitimitet dhe nëse vendi ka nevojë për vazhdimësi, atëherë ajo duhet të jetë në gjendje të ndërtojë një platformë serioze për zgjidhjen e ngërçit evropian.
Mickoski gjatë vitit 2026 ka insistuar se nuk pranon ndryshime kushtetuese pa garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe dhe çështje identitare në procesin e mëtejshëm. Në janar ai kishte vendosur si kusht edhe trajtimin e komunitetit maqedonas në Bullgari.
Ky është pozicioni i qeverisë.
Por ekziston edhe pozicioni i Brukselit. Dhe këtu duhet të gjendet ura.
Sepse BE-ja nuk ka thënë se rruga e Maqedonisë së Veriut është mbyllur. Përkundrazi, Parlamenti Evropian ka riafirmuar mbështetjen për anëtarësimin e vendit dhe ka theksuar nevojën për bashkëpunim ndërpartiak për të avancuar procesin.
BDI-ja kërkon zgjedhje. Por çfarë ofron për Evropën?
Ali Ahmeti e ka kthyer kërkesën për zgjedhje në një betejë politike për legjitimitetin. BDI-ja pretendon se qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe kërkon shpërndarjen e Kuvendit. Në një demokraci, opozita ka të drejtë ta kërkojë këtë.
Por nëse zgjedhjet e prillit 2027 do të shndërrohen në objektiv serioz politik, atëherë të gjitha partitë duhet t’u përgjigjen qytetarëve edhe një pyetjeje tjetër.
Çfarë do të bëni me ndryshimet kushtetuese dhe rrugën drejt BE-së pas zgjedhjeve?
Sepse nuk mjafton të thuhet “zgjedhje”.
Qytetarët duhet të dinë nëse partitë do ta përdorin mandatin e ri për ta zgjidhur ngërçin apo vetëm për ta vazhduar atë.
Nëse njëra palë kërkon zgjedhje për të ndryshuar qeverinë, ndërsa pala tjetër kërkon zgjedhje për të konfirmuar qeverinë, atëherë qytetari mbetet përsëri përballë së njëjtës pyetje evropiane pas zgjedhjeve.
Dhe kjo do të ishte një tjetër humbje kohe.
VLEN-i ka një argument të fortë, por jo të mjaftueshëm
VLEN-i thotë se Korridori 8, rruga Shkup–Bllacë dhe lidhja Tetovë–Prizren janë më të rëndësishme se zgjedhjet. Në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor, argumenti është i kuptueshëm. Një shtet nuk mund të qeveriset vetëm përmes cikleve zgjedhore.
Por as projektet infrastrukturore nuk mund të jenë alternativë ndaj strategjisë evropiane. Korridori 8 nuk është vetëm një autostradë. Shkup–Bllacë nuk është vetëm një rrugë. Tetovë–Prizren nuk është vetëm një lidhje fizike.
Ato kanë kuptim shumë më të madh nëse vendi e sheh veten si pjesë të një hapësire evropiane të lidhur ekonomikisht dhe politikisht. Prandaj pyetja nuk duhet të jetë zgjedhje apo projekte. Duhet të jetë projekte, reforma dhe Evropë – pavarësisht se kush qeveris.
LSDM-ja nuk duhet të jetë alibi, por as të jetë spektatore
Venko Filipçe thotë se LSDM-ja nuk do të jetë “alibi” e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme dhe se qeveria, me shumicën që ka, mund ta shpërndajë vetë Kuvendin. Është një argument politik legjitim.
Por opozita gjithashtu nuk mund të kufizohet vetëm në refuzimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nëse LSDM-ja beson se ka një alternativë për Maqedoninë e Veriut, atëherë ajo duhet ta bëjë të qartë edhe qëndrimin e saj për çështjen që sot e bllokon procesin evropian.
Sepse “Masterplan për Maqedoninë”, siç e quan Filipçe programin që paralajmëron për muajin e ardhshëm, nuk mund të jetë vetëm plan ekonomik dhe social.
Maqedonia ka nevojë edhe për një Masterplan Evropian.
Një marrëveshje mbi palët se çfarë është e panegociueshme, çfarë mund të negociohet dhe çfarë duhet të bëhet për të kaluar nga kandidatura drejt anëtarësimit.
Çelësi nuk është vetëm në Shkup
Një tjetër gabim do të ishte që gjithë përgjegjësia të vendosej vetëm mbi partitë në Shkup. Bullgaria është pjesë e problemit. Por edhe BE-ja duhet të jetë pjesë e zgjidhjes.
Mickoski ka kërkuar garanci se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të pasojnë kërkesa të reja dypalëshe dhe identitare. Ky shqetësim është bërë pjesë e debatit politik në vend dhe jashtë tij.
Nga ana tjetër, institucionet evropiane vazhdojnë të insistojnë se ndryshimet kushtetuese të dakordësuara janë kushti për të avancuar.
Kjo do të thotë se zgjidhja duhet të jetë politike, por edhe evropiane.
Brukseli duhet të japë perspektivë. Shkupi duhet të japë vendim. Sofja duhet të japë garanci politike për një proces të bazuar në kriteret evropiane.
Dhe partitë e Maqedonisë së Veriut duhet të kuptojnë se integrimi evropian nuk mund të përdoret pafundësisht si armë kundër njëra-tjetrës.
Prilli 2027 mund të jetë më shumë se një datë zgjedhore
Nëse zgjedhjet e parakohshme vërtet vendosen për pranverën e vitit 2027, ato mund të shndërrohen në diçka shumë më të rëndësishme sesa një përballje Mickoski – Filipçe, Ahmeti – Mexhiti. Ato mund të jenë zgjedhje për drejtimin strategjik të shtetit. Por për këtë duhet që partitë të mos presin fushatën për të filluar të flasin për Evropën.
Konsensusi duhet të ndërtohet para zgjedhjeve. Nëse partitë politike mund të gjejnë marrëveshje për datën e zgjedhjeve, duhet të jenë në gjendje të gjejnë edhe marrëveshje për një minimum kombëtar evropian. Një dokument politik. Një zotim publik. Një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës.
Një premtim para qytetarëve se, pavarësisht rezultatit zgjedhor, rruga drejt BE-së nuk do të përdoret më si peng i betejës partiake. Sepse ëndrra evropiane nuk është pronë e asnjë partie.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për BE që nga viti 2005. Negociatat formalisht nisën në vitin 2022, pas një procesi të gjatë konfliktesh dhe kompromisesh.
Por hapja substanciale e kapitujve dhe klasterëve mbetet e lidhur me përmbushjen e kushtit kushtetues. Institucionet evropiane e kanë përsëritur këtë edhe gjatë vitit 2026.
Zgjedhjet mund të vendosin se kush do të qeverisë. Por konsensusi për Evropën duhet të vendosë se ku do të shkojë shteti.
Dhe kjo duhet të jetë marrëveshja e parë që partitë politike duhet t’ua ofrojnë qytetarëve, para çdo date zgjedhore.(PressOnline.al)


