Imazhi i yllit norvegjez të futbollit Erling Haaland ka përfunduar në një vend të pazakontë. Policia në Ekuador ka zbuluar figurën e sulmuesit të Manchester City-t të stampuar në qindra pako kokainë, gjatë një operacioni pranë kufirit me Kolumbinë.
Autoritetet ekuadoriane njoftuan se kanë sekuestruar 469 kilogramë kokainë në një kamion. Brenda një hapësire të fshehtë në pjesën e poshtme të automjetit u gjetën 370 pako me drogë, të mbuluara me etiketa jeshile ku shfaqej fytyra e Haalandit.
Operacioni nisi pas një informacioni anonim të marrë nga policia të martën në mëngjes. Agjentët e antidrogës ndaluan një kamion të dyshimtë në zonën e Guagua Negro.
Sipas autoriteteve, në kuadër të operacionit u arrestuan dy persona, mes tyre një grua e identifikuar si María R., e pajisur me dokumente kolumbiane. Shoferi i kamionit u arrestua gjithashtu pas zbulimit të ngarkesës.
Policia nuk ka dhënë një shpjegim konkret për përdorimin e imazhit të Haalandit në paketimet e drogës. Megjithatë, autoritetet shpjegojnë se trafikantët shpesh përdorin emra dhe figura të sportistëve të njohur apo personazheve të famshëm për të identifikuar ngarkesat, rrjetin kriminal që i ka prodhuar dhe klientin për të cilin janë destinuar.
Haaland nuk është i vetmi futbollist që është shfaqur në pakot e sekuestruara nga trafikantët. Edhe imazhi i kapitenit të Argjentinës, Lionel Messi, është përdorur më parë në ngarkesa droge të zbuluara nga autoritetet.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentin kur qindra paketime nxirren nga hapësira e fshehtë e kamionit, ndërsa në to dallohen qartë etiketat me fytyrën e sulmuesit norvegjez.
Sipas të dhënave të autoriteteve, vlera e ngarkesës së sekuestruar llogaritet në rreth 842 mijë dollarë në tregun vendas. Nëse do të arrinte në Shtetet e Bashkuara, vlera e saj do të kalonte 11 milionë dollarë, ndërsa në tregun europian do të kapte rreth 19.6 milionë dollarë.
Ekuadori konsiderohet një pikë e rëndësishme logjistike për trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas policisë, rrjetet kriminale lokale, në bashkëpunim me kartele kolumbiane dhe meksikane, menaxhojnë rrugët e transportit të kokainës drejt Amerikës Qendrore, Shteteve të Bashkuara dhe Europës.
Autoritetet ekuadoriane raportuan se vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti kanë sekuestruar rreth 80 tonë drogë. Në vitin 2025, sasia e drogës së sekuestruar arriti në afro 215 tonë, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan rreth 295 tonë, kryesisht kokainë.


