Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive organizoi një panel diskutimi me pjesëmarrjen e profesorëve universitarë, ekspertëve të fushave të ndryshme, ish-diplomatëve, politikanëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të fondacioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe për përgjigjen pozitive ndaj ftesës, duke theksuar se qëllimi i këtij organizimi nuk është vetëm shënimi i një përvjetori të rëndësishëm, por edhe hapja e një diskutimi për të ardhmen e vendit.
“Ky takim nuk është vetëm për të shënuar 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Është një mundësi për ta orientuar vëmendjen tonë drejt së ardhmes – drejt forcimit të shtetit të së drejtës, zhvillimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe, veçanërisht, drejt ndërtimit të kapaciteteve dhe krijimit të më shumë mundësive për rininë”, tha Ferati, përcjell PressOnline.al
Sipas ministrit, rinia është jo vetëm e ardhmja e vendit, por edhe resursi më i madh për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar, më të qëndrueshme dhe me standard më të lartë jetese. Për këtë arsye, ai theksoi nevojën që diskutimet mbi të ardhmen e vendit të orientohen drejt krijimit të mundësive konkrete për gjeneratat e reja.
Ferati u shpreh se paneli synon të kontribuojë në rritjen e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, duke vlerësuar se një dialog i hapur dhe konstruktiv mund të japë një mesazh të fuqishëm për opinionin publik.
“Një dialog i tillë, i hapur dhe konstruktiv, do të ishte një mesazh i fuqishëm për opinionin publik dhe një gur themeli për ndërtimin e kapaciteteve të brendshme për një kulturë të re të dialogut politik dhe shoqëror”, theksoi ministri.
Duke folur për organizimin e eventit, Ferati theksoi se aktiviteti është realizuar në një periudhë shumë të shkurtër kohore, duke falënderuar ekipin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për angazhimin dhe punën e bërë.
“Nuk ishte e lehtë. Por, për vetëm 20 ditë në detyrë, arritëm që, së bashku me ekipin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, të organizojmë këtë event gjithëpërfshirës”, u shpreh Ferati.
Ai vlerësoi veçanërisht përbërjen e panelit, duke theksuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve nga fusha dhe perspektiva të ndryshme i jep vlerë të veçantë diskutimit.
“Sot kemi në këtë panel profesorë universitarë, ekspertë të fushave të ndryshme, ish-diplomatë, politikanë, gazetarë eminentë dhe përfaqësues të fondacioneve dhe organizatave që punojnë me shoqërinë civile. Kjo shumëllojshmëri e zërave është pikërisht ajo që i jep vlerë këtij diskutimi”, tha ministri.
Në fund të fjalës së tij, Ferati falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë, kohën dhe kontributin e tyre, duke shprehur pritshmërinë që diskutimet të sjellin ide konkrete për hapat që duhet të ndërmerren në vitet e ardhshme.
“Uroj të kemi një ditë të mbarë, një diskutim të hapur dhe, mbi të gjitha, një diskutim që do të na japë ide konkrete për atë se çfarë duhet të bëjmë më mirë në vitet që vijnë”, përfundoi Ferati.


