Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, mori pjesë si folës kryesor në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Luftën kundër Diskriminimit, e organizuar në Kajro nga Sekretariati i Përgjithshëm i Ligës së Shteteve Arabe, në bashkëpunim me ICESCO (Organizata Botërore Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë).
Sipas njoftimit të Kuvendit, në konferencë morën pjesë përfaqësues të parlamenteve dhe qeverive, organizatave ndërkombëtare, akademikë dhe udhëheqës fetarë, të cilët diskutuan për rolin e komuniteteve myslimane në Perëndim, promovimin e tolerancës, dialogun ndërfetar, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe ndërtimin e një kulture paqeje.
Në fjalimin e tij, Gashi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është një shembull i bashkëjetesës ndërfetare dhe multietnike, duke nënvizuar se diversiteti është pasuri dhe një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
Ai deklaroi se lufta kundër çdo forme diskriminimi nuk është vetëm mbrojtje e një komuniteti të caktuar, por edhe mbrojtje e dinjitetit njerëzor, barazisë, lirisë së ndërgjegjes dhe respektimit të dallimeve. Gjithashtu, ai vuri në pah rolin e parlamenteve dhe institucioneve në forcimin e dialogut, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe promovimin e kulturës së respektit të ndërsjellë.


