Një sulm me thikë ka tronditur një qytet në landin Baden-Württemberg të Gjermanisë, ku një 14-vjeçare dyshohet se ka sulmuar një vajzë 16-vjeçare. E mitura është arrestuar nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2026, rreth orës 13:35, në Obersulm, një qytet me rreth 14 mijë banorë.
Sipas policisë, 14-vjeçarja dyshohet se e ka joshur viktimën, të cilën nuk e njihte më parë, drejt një shtegu pranë zonës Willsbach dhe më pas i ka kërkuar telefonin celular nën kërcënimin e thikës.
16-vjeçarja ia ka dorëzuar telefonin, por më pas e dyshuara dyshohet se e ka sulmuar me thikë. Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar disa plagë prerëse, raporton Bild, transmeton Klankosova.tv.
Policia ka bërë të ditur se sulmi është ndalur vetëm pas ndërhyrjes së dëshmitarëve, të cilët kanë dëgjuar zhurmat, kanë ndarë dy vajzat dhe kanë lajmëruar autoritetet.
Fillimisht, e dyshuara kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes, por hetimet e policisë zbuluan dyshime për tentativë vrasjeje. Gjykata e Heilbronnit më 29 korrik lëshoi urdhër-arrest, ndërsa 14-vjeçarja u dërgua në paraburgim në një institucion për gra.
Prokuroria e Heilbronnit ka bërë të ditur se e mitura ka dhënë deklaratë para gjyqtarit, por përmbajtja e saj nuk është bërë publike, pasi është pjesë e hetimit.
Rasti po hetohet si grabitje e rëndë në kombinim me tentativë vrasjeje dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore.


