Matt Damon ka zbuluar detaje nga transformimi i tij fizik për rolin e Odiseut në filmin e ri të Christopher Nolan, “The Odyssey“, duke rrëfyer se përgatitjet për personazhin kërkuan muaj të tërë disipline, një dietë të rreptë dhe sakrifica të mëdha.
Aktori 55-vjeçar foli për procesin gjatë një interviste në emisionin “Live with Kelly and Mark”, ku tregoi se regjisori Christopher Nolan kishte një vizion shumë të qartë për pamjen që duhej të kishte heroi legjendar grek.
Ai më tha: ‘Dua vetëm të dukesh i dobët dhe i fortë, si një veteran i Luftës së Trojës që di të kujdeset për veten, por që nuk do të refuzonte një vakt kur dikush ia ofronte’
-kujtoi Damon.
Sipas aktorit, pikërisht ky kombinim ishte sfida më e madhe.
Ky është në fakt kombinimi më i vështirë, të dukesh i dobët, por në të njëjtën kohë të kesh forcë. Gjithçka sillej rreth kësaj gjatë asaj periudhe
-u shpreh ai.
Për t’u përgatitur për rolin, Damon ndoqi një regjim të rreptë për gati gjashtë muaj. Ai zbuloi se arriti të zbresë në 75 kilogramë, ndërsa zakonisht pesha e tij luhatet mes 84 dhe 90 kilogramëve.
Zakonisht peshoj midis 84 dhe 90 kilogramë, dhe e xhirova të gjithë këtë film me 75 kilogramë
-tha ai.
Aktori e krahasoi përgatitjen me rutinën e një sportisti profesionist, ku çdo vakt dhe çdo stërvitje ishin të planifikuara me kujdes.
Çdo vakt ishte matur me saktësi. Çdo gjë kishte qëllimin e vet
-shpjegoi ai.
Një pjesë e rëndësishme e këtij transformimi ishte edhe dieta pa gluten. Damon tha se vetëm pasi e nisi këtë regjim e kuptoi se sa shumë ushqime të përditshme përmbajnë gluten.
Është pothuajse kudo, por ka shumë ushqime të shkëlqyera që nuk e përmbajnë atë
-tha ai, duke përmendur orizin dhe patatet si disa nga alternativat që konsumonte rregullisht.
Megjithatë, pranon se dorëheqja më e vështirë ishte largimi nga birra.
Duhet ta pranoj, më është dashur të heq dorë nga birra. Ishte e dhimbshme
-tha ai me humor.
Damon kujtoi edhe një episod gjatë xhirimeve në Itali, kur familja e tij e vizitoi dhe ai u detyrua t’u shpjegonte fëmijëve pse nuk mund të hante makarona me ta, edhe pse ua kishte premtuar.
U premtova fëmijëve se do të haja makarona me ta. I porosita, por më pas thirra kamerierin dhe e ndryshova porosinë. Thashë: ‘Do ta marr biftekun gjithsesi’.
Sipas tij, fëmijët reaguan menjëherë.
‘Por premtove!’, më thanë ata. U thashë se do të haja nga një kafshatë nga secila pjatë e tyre. Dhe kështu bëra.
Aktori theksoi se nuk donte të rrezikonte rezultatet e arritura, pasi e prisnin ende disa muaj xhirime.
Në atë fazë, ose shkon deri në fund ose nuk shkon fare
-u shpreh ai.
“The Odyssey”, i bazuar në poemën epike të Homerit, rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të Odiseut drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës, teksa përballet me sprova, krijesa mitologjike dhe sfida të shumta.
Kjo nuk është hera e parë që Matt Damon i nënshtrohet një transformimi ekstrem për një rol. Për filmin “Guximi i Luftëtarit” në vitin 1996, ai humbi më shumë se 20 kilogramë në një kohë shumë të shkurtër, një vendim që më vonë e pranoi se kishte rrezikuar seriozisht shëndetin e tij.
E teprova. U sëmura dhe nuk do ta bëja më kurrë. Isha plotësisht i rraskapitur. Kisha marramendje dhe afshe të nxehta
-kishte deklaruar më herët aktori.


