Starmer hyn në histori, i pari kryeministër britanik në detyrë që merr “Legjionin e Nderit”

featured
Press Online
15 Korrik 2026, 13:22

Keir Starmer është bërë kryeministri i parë britanik në detyrë, që është nderuar me Legjionin e Nderit (Légion d’honneur), dekorata më e lartë shtetërore e Francës, sipas BBC.

Ai e mori këtë vlerësim në përfundim të një takimi të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve” – një grup vendesh që Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron ndihmuan të krijohej, për të mbështetur Ukrainën pas pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Në fjalimin e tij të vlerësimit, Macron vlerësoi ndershmërinë dhe korrektësinë e Starmer dhe shprehu mirënjohjen për angazhimet e tij, jo vetëm për vendin e tij, por edhe për sigurinë e Evropës, Ukrainën dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ishte mes liderëve që vlerësuan Starmer, i cili pritet të largohet nga posti i kryeministrit javën e ardhshme.

“Dua të përsëris mirënjohjen time dhe të popullit francez për vitet tuaja si kryeministër. Duhet të them se të gjitha cilësitë njerëzore, që kemi mësuar t’i vlerësojmë tek ju, mbeten shumë të rëndësishme për të gjithë ne. Me ju kemi gjetur një partner shumë të besueshëm dhe miqësor”, tha Macron ndërsa dorëzonte dekoratën.

Përveç Zelensky, edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz falënderoi Starmer, gjatë ceremonisë së zhvilluar në pallatin presidencial francez.

Çdo vit, rreth 2 mijë shtetas francezë dhe 200 të huaj marrin Urdhrin e Legjionit të Nderit, si njohje për “merita të jashtëzakonshme”.

Mes personave të nderuar është edhe ish-kryeministri britanik Winston Churchill, i cili mori gradën më të lartë të këtij urdhri, “Grand Croix” (Kryqi i Madh), që u jepet personave, që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme gjatë një periudhe të gjatë.

Megjithatë, kjo dekoratë ka qenë shpesh, objekt debatesh, që prej kohës kur Napoleon Bonaparte krijoi këtë dekoratë, në vitin 1802.

Përveç figurave si Nelson Mandela, ish-presidenti amerikan, Dwight D. Eisenhower dhe vetë Zelensky, këtë nderim e kanë marrë edhe figura shumë të diskutueshme si presidenti rus, Vladimir Putin dhe ish-udhëheqësi libian Muammar Gaddafi.

Në të kaluarën, dekorata u është dhënë edhe diktatorit italian, Benito Mussolini dhe diktatorit spanjoll, Francisco Franco.

Deri tani, vetëm një lider i huaj është privuar nga kjo dekoratë, ish-presidenti i Panamasë, Manuel Noriega.

Gjatë presidencës së Macron, edhe producenti i Hollivudit Harvey Weinstein e humbi këtë nderim, pas një seri akuzash për ngacmime seksuale dhe përdhunime.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter