Kriza e Hormuzit vë në provë strategjinë e Trump për Iranin

featured
Press Online
15 Korrik 2026, 12:21

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar qëndrim vetëm 24 orë pas njoftimit se, anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit do të paguanin një tarifë prej 20%, sipas BBC.

Ky ndryshim shihet si një shenjë se administrata amerikane, po kërkon mënyra për të dalë nga situata e vështirë në luftën me Iranin.

Trump njoftoi të hënën në rrjetin e tij social se, SHBA-ja do të rikthente bllokadën detare ndaj anijeve iraniane dhe se të gjitha anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, edhe ato të vendeve aleate të SHBA-së, do të duhej të paguanin një tarifë prej 20%.

Sipas tij, kjo tarifë do të shërbente për të mbuluar kostot e SHBA-së, për garantimin e sigurisë në këtë zonë strategjike.

Por, vetëm një ditë më vonë, Trump hoqi dorë nga ky propozim dhe tha se në vend të tarifave do të kërkonte marrëveshje tregtare dhe investime me vendet e Gjirit Persik, duke lënë të kuptohet se SHBA-ja mund të garantojë kalimin e sigurt të anijeve në këmbim të investimeve.

Ky ndryshim i shpejtë, vjen ndërsa konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në muajin e pestë dhe nuk po tregon shenja përfundimi, pavarësisht një marrëveshjeje të përkohshme që solli një armëpushim dhe la të hapur rrugën për negociata.

SHBA-ja përballet me një zgjedhje të vështirë

Analistët thonë se Trump mund të hezitojë të përshkallëzojë luftën, për shkak të pakënaqësisë së opinionit publik amerikan ndaj konfliktit; rrezikut të rritjes së çmimeve të energjisë si dhe mundësisë që trupat amerikane dhe aleatët të përballen sërish me sulme iraniane.

Megjithatë, një marrëveshje, që nuk do të ishte më e favorshme se marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur gjatë administratës së Barack Obama-s, mund të mos jetë e pranueshme politikisht për Trump.

Ekspertët vlerësojnë se konflikti mund të shndërrohet në një luftë konsumimi, në një përplasje të gjatë ku asnjëra palë nuk arrin një fitore të plotë.

Ngushtica e Hormuzit mbetet pika kryesore e konfliktit

Pas rikthimit të bllokadës amerikane, Irani intensifikoi sulmet ndaj aleatëve të SHBA-së dhe ndaj anijeve tregtare në rajon, duke ngadalësuar ndjeshëm qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit.

Kjo ngushticë është një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, pasi aty kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit të tregut global.

Edhe pse SHBA-ja ka goditur objektiva ushtarake iraniane dhe ka dobësuar disa kapacitete të Iranit, Teherani ende ka mundësi të pengojë lëvizjen në këtë korridor detar.

Marrëveshja e përkohshme është në rrezik

Marrëveshja e përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit, e cila synonte uljen e tensioneve, tashmë konsiderohet praktikisht e dështuar.

Dokumenti parashikonte që Irani të ndihmonte në garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare në Hormuz pa tarifa, si dhe përfshinte premtime për investime dhe lehtësim të sanksioneve ndaj Iranit.

Por sipas ekspertëve, këto angazhime janë zhbërë pas rikthimit të luftimeve.

Trump përballet me dilemën: përshkallëzim apo negociata

Aktualisht Trump përballet me të njëjtën dilemë: të rrisë sulmet ushtarake, me kosto ekonomike dhe politike ose të pranojë një marrëveshje, që nuk sjell dorëzimin e Iranit.

Një tjetër objektiv që Trump ka përmendur është Mali i Kazmës – një zonë e fortifikuar pranë Teheranit, që lidhet me aktivitetet bërthamore të Iranit.

Megjithatë, ekspertët kanë dyshime, nëse sulmet ajrore mund të shkatërrojnë objektet e vendosura thellë nën tokë.

Nëse palët rikthehen në negociata, çështjet kryesore mbeten ende të pazgjidhura: kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, programi bërthamor i Iranit dhe ndikimi i Teheranit në Lindjen e Mesme.

Analistët paralajmërojnë se lufta me Iranin mund të zgjasë, ndërsa Trump është përpjekur të shmangë një konflikt të gjatë, të ngjashëm me luftërat amerikane në Lindjen e Mesme që ai vetë i ka kritikuar në të kaluarën.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter