Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së një ministreje të Qeverisë së Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një reagimi publik, Rama e cilësoi këtë deklaratë si “artikulim të hapur të një ideologjie që nxit dhe mbështet luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”.
Sipas tij, deklarata përbën fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe relativizon e legjitimon një nga krimet më të rënda të njohura nga e drejta ndërkombëtare.
“Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë, për një nga aktet më makabre e kriminale të shekullit të kaluar”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik, duke shtuar se çdo heshtje përballë deklaratave të tilla krijon një precedent të rrezikshëm.
Rama u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe botës demokratike që ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë, ndërsa kërkoi edhe reagim të qartë nga institucionet e Kosovës.
“Institucionet janë për të mbrojtur të vërtetën historike, kujtesën e viktimave dhe pozicionin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Përballë një deklarate që justifikon spastrimin etnik, reagimi institucional nuk është zgjedhje politike, por përgjegjësi shtetërore”, theksoi ai.
Në fund të reagimit, kryetari i Prishtinës kujtoi pasojat e luftës në Kosovë, duke nënvizuar se vendi e njeh çmimin e kësaj gjuhe, të paguar me jetë njerëzish dhe me qindra mijëra qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.
“Askush nuk duhet ta trajtojë këtë deklaratë si një incident kalimtar. Ajo duhet të dënohet ashpër, qartë dhe asesi nuk guxon të kalojë në heshtje”, përfundoi Rama.





