Mexhiti: Nostalgjia për Millosheviqin është fytyra e vërtetë e Open Balkan-it

featured
Press Online
14 Korrik 2026, 19:25

Njëri nga kryetarët e partisë VLEN, Izet Mexhiti, ka kritikuar ashpër autoritetet serbe pas deklaratave të një ministreje të qeverisë së Serbisë, e cila në një intervistë publike ka shprehur keqardhje që territori i Kosovës nuk është spastruar etnikisht nga shqiptarët gjatë konfliktit të vitit 1998.

Në një reagim zyrtar të publikuar të martën, Mexhiti e ka cilësuar këtë qëndrim si glorifikim të politikave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Ai theksoi se mungesa e distancimit të kryeministrit apo presidentit serb nga ky deklarim paraqet një sinjal shqetësues për marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon.

“Kur një zyrtar shtetëror në vitin 2026 shpreh keqardhje që Kosova nuk është spastruar etnikisht, kjo ngre pikëpyetje serioze mbi ndryshimet në mendësinë politike në Beograd,” deklaroi Mexhiti.

Kreu i VLEN-it ka lidhur drejtpërdrejt këtë retorikë me nismën rajonale “Open Balkan”.

Sipas tij, kjo nismë po shfrytëzohet nga Serbia për rehabilitim politik dhe ideologjik, në vend që t’i shërbejë objektivit të proklamuar për pajtim dhe integrim rajonal.
Mexhiti e konsideroi heshtjen e mbështetësve të kësaj nisme si një formë aprovimi të heshtur ndaj deklaratave që relativizojnë krimet e luftës në Kosovë, ku si pasojë e fushatës së forcave serbe u vranë mbi 10,000 civilë dhe u shkaktuan dëme të mëdha humanitare.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për normalizimin e raporteve në Ballkanin Perëndimor po përballen me vështirësi të shtuara, ndërsa çështja e ballafaqimit me të kaluarën mbetet një pikë kyçe e mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit.(INA)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter