Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoleur, ka deklaruar se propozimi franko-gjerman për integrimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian nuk nënkupton krijimin e një statusi të ndërmjetëm apo të një “lige të dytë” për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për Portalb.mk, ai theksoi se qëllimi i iniciativës është t’i japë një dinamikë të re procesit të zgjerimit dhe t’u mundësojë vendeve kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të përfitojnë më shumë gjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë.
“Ky non-paper ka disa kuptime. Më i rëndësishmi është se Franca dhe Gjermania po mobilizohen dhe besojnë te zgjerimi i Bashkimit Evropian. Ideja është që procesit të zgjerimit t’i jepet një elan i ri, pasi në disa vende ai po zhvillohet më ngadalë dhe kërkon më shumë kohë nga sa ishte parashikuar”, u shpreh Le Rigoleur, përcjell PressOnline.al
Sipas ambasadorit francez, integrimi gradual nuk duhet të shihet si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por si një mekanizëm që lidh më ngushtë reformat me përfitimet konkrete që vendet kandidate mund të marrin edhe para hyrjes në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se ky model synon të stimulojë reformat dhe të mbështesë politikat që ndërmarrin shtetet kandidate, duke i ndihmuar ato të përshpejtojnë ritmin e transformimeve të nevojshme në procesin e integrimit evropian.
Le Rigoleur hodhi poshtë edhe interpretimet se propozimi franko-gjerman synon krijimin e një kategorie të dytë shtetesh brenda BE-së.
“Ky non-paper nuk nënkupton krijimin e një statusi të dytë për vendet që synojnë anëtarësimin. Nuk bëhet fjalë për shtete që do të mbeten përgjithmonë në një status ndërmjetësues. Vizioni ynë në Paris dhe Berlin është i qartë: integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, në Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadori francez.


