Eman Rrahmani, deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar në një status në rrjetin social, Facebook, ku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëpunim me ata që dikur i quanin “oligarkë”.
Rrahmani u shpreh se problem për LVV nuk kanë qenë kurrë “oligarkët”, sepse në momentin që nënshtrohen, bëhen biznesmenët më të fuqishëm.
Postimi i plotë:
“Në opozitë e shanin “oligarkun” HIB Petrol, ndërsa sot aktivitetet partiake dhe institucionale i mbajnë në sallat e tyre.
E shanin “oligarkun” Viva Fresh, ndërsa sot e promovojnë dhe figura kryesore të tyre qëndrojnë e punojnë në ambientet e tyre.
E shanin “oligarkun” Interex, Shell dhe secilin biznes që e kishin cak, ndërsa sot bashkëpunojnë me ta dhe shumë prej tyre fitojnë tenderë çdo ditë.
Problemi i tyre nuk kanë qenë kurrë “oligarkët”. Për ta, edhe nëse je “oligarku” më i madh, edhe nëse je njeriu më i fuqishëm ekonomikisht, në momentin që rreshtohesh me ta dhe u nënshtrohesh, bëhesh biznesmeni më i ndershëm, kontribuuesi më i madh dhe partneri më i pranueshëm.
Për ta ekzistojnë vetëm dy rrugë, ose nënshtrohesh, ose linçohesh dhe luftohesh.”, shkroi ai.





