Makina bujqësore, traktorë dhe cisterna me qumësht janë vendosur para Ministrisë së Bujqësisë, ku nga ora 13:00 ka nisur protesta e fermerëve të qumështit.
Fermerët po protestojnë pasi, sipas tyre, është ndërprerë grumbullimi i qumështit të freskët pas kontrolleve të kryera nga institucionet në fabrikën e qumështit “Vita”, për të cilën dyshohet se ka përdorur përbërës të palejuar në produktet e saj.
Protestuesit kërkojnë rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin sa më shpejt të rezultateve të analizave që po kryhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe rikthimin e gjendjes në normalitet për fermerët.
Në shenjë pakënaqësie, një pjesë e fermerëve kanë derdhur qumësht në tokë para Ministrisë, duke thënë se, pa grumbullim, prodhimi i tyre po shkon dëm dhe se po përballen me humbje të mëdha ekonomike.





