Ligj i ri: Më shumë energji solare, më pak burokraci

featured
Press Online
06 Korrik 2026, 12:04

Maqedonia e Veriut ka miratuar Ligjin e ri për shfrytëzimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, me të cilin pritet të vendosen procedura më të shpejta për marrjen e lejeve, zhvillimi i “zonave të gjelbra”, modele të reja për mbështetjen e investimeve dhe të drejta më të mëdha për qytetarët si prodhues të energjisë elektrike. Ligji krijon kushte për formimin e bashkësive energjetike, lehtëson vendosjen e sistemeve solare në amvisëri dhe vendos mekanizma shtesë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.

Ligji i ri, dispozitat e të cilit në pjesën më të madhe do të hyjnë në fuqi nga viti 2028, vendos një kornizë të veçantë juridike për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe e harmonizon vendin me standardet evropiane në fushën e energjetikës. Qëllimi kryesor është rritja e prodhimit vendor të energjisë elektrike, ulja e varësisë nga importi dhe përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër.

Leje më të shpejta dhe zona të reja të gjelbra

Një nga risitë më të rëndësishme është shpallja e projekteve nga fusha e burimeve të ripërtëritshme të energjisë si interes publik. Me këtë, institucionet do të kenë detyrim të veprojnë më shpejt ndaj kërkesave që lidhen me ndërtimin dhe kyçjen e kapaciteteve të reja energjetike.

Ligji parashikon formimin e zonave të veçanta për zhvillim të përshpejtuar të burimeve të ripërtëritshme, të njohura si “zona të gjelbra”. Në këto zona, procedurat për lëshimin e lejeve nuk duhet të zgjasin më shumë se 12 muaj, ndërsa për impiantet me kapacitet deri në 150 kW afati kufizohet në gjashtë muaj. Përparësi do të kenë lokacionet me rrezik të ulët për mjedisin jetësor.

Sisteme solare shtëpiake deri në 10,8 kW me procedura dukshëm më të thjeshta

Ligji i ri i përcakton sistemet solare me fuqi të instaluar deri në 10,8 kW si objekte të vogla energjetike.

Për amvisëritë vendosen disa lehtësime të rëndësishme:

leja për vendosjen e pajisjeve deri në 100 kW duhet të lëshohet brenda afatit maksimal prej një muaji;

operatori ka afat prej një muaji për ta kryer kyçjen e sistemeve deri në 10,8 kW;

nëse operatori nuk përgjigjet në kohë ndaj kërkesës, zbatohet parimi “heshtja nënkupton pëlqim”.

Këto ndryshime pritet t’i ulin ndjeshëm barrierat administrative për qytetarët që duan të investojnë në burime të ripërtëritshme të energjisë. Amvisëritë dhe kompanitë do të mund të instalojnë më lehtë panele solare dhe të prodhojnë energji elektrike për nevojat e tyre. Përveç kësaj, do të kenë mundësi ta ruajnë ose ta shesin tepricën e prodhuar.

Tri modele për përllogaritjen e energjisë elektrike të prodhuar

Ligji vendos një ndarje të qartë sipas kapacitetit të sistemit: neto-matje për sistemet deri në 16 kW, neto-përllogaritje për sistemet nga 16 deri në 50 kW dhe model komercial për kapacitetet mbi 50 kW.

Për herë të parë vendoset një kornizë e plotë juridike për bashkësitë energjetike.

Qytetarët, kompanitë dhe komunat do të mund të bashkohen vullnetarisht për prodhimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e përbashkët të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme. Ky model mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për bashkësitë lokale dhe komunat, ku ekziston potencial për zhvillimin e projekteve të përbashkëta energjetike.

Mbrojtja e mjedisit jetësor si kusht i detyrueshëm

Ligji i ri vendos theks të fuqishëm te mbrojtja e mjedisit jetësor. Nga zonat për zhvillim do të përjashtohen hapësirat me biodiversitet të lartë, zonat e mbrojtura dhe korridoret kryesore të migrimit të shpendëve. Investitorët do të duhet të sigurojnë mjete financiare për çmontimin e impianteve dhe sanimin e terrenit pas përfundimit të afatit të tyre të funksionimit.

Përveç kësaj, procedurat për vlerësimin e ndikimit në mjedisin jetësor mbeten të detyrueshme për projektet që mund të shkaktojnë pasoja të rëndësishme ekologjike.

Mbështetje për investime dhe kapacitete të reja energjetike

Në vend të subvencioneve fikse, shteti do të vendosë ankande konkurruese dhe prime tregu për mbështetjen e kapaciteteve të reja.

Ky sistem pritet të sigurojë transparencë më të madhe, kushte më stabile për investitorët, kosto më të ulëta për përdoruesit dhe zhvillim më të shpejtë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Të gjitha procedurat për ndjekjen e lejeve dhe kyçjen në rrjet do të zhvillohen përmes një platforme digjitale. Përveç kësaj, do të forcohet sistemi i garancive për origjinën e energjisë elektrike, me çka përdoruesit do të kenë konfirmim se po shfrytëzojnë energji të prodhuar nga burime të ripërtëritshme. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter