Mund të shtyhet mosha e pensionit në Maqedoni deri në 73 vjeç?!

featured
Press Online
03 Korrik 2026, 09:49

Nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar për reformën e sistemit pensional, as për rritjen e mundshme të moshës së pensionimit. Qeveria fillimisht do të shqyrtojë analizat dhe rekomandimet që do të përgatiten nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore, e më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm, deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të raportit dyvjeçar për punën e Ministrisë së Financave, ministrja tha se institucionet financiare ndërkombëtare do të realizojnë një analizë të detajuar të gjendjes së sistemit pensional, me theks të veçantë në shtyllën e parë dhe të dytë të pensioneve dhe qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë financiare.

Sipas saj, analizat do të japin një pasqyrë më të qartë të situatës, por kjo nuk do të thotë se Qeveria do t’i pranojë automatikisht të gjitha rekomandimet.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se një nga temat që mund të dalë nga këto analiza është edhe rritja e mundshme e moshës së pensionimit, por nënvizoi se për momentin bëhet fjalë vetëm për një mundësi dhe jo për një propozim konkret.
Ajo shtoi se personalisht mendon se duhet të mundësohet më shumë fleksibilitet, në mënyrë që qytetarët që duan dhe kanë mundësi të vazhdojnë të punojnë ta kenë këtë të drejtë, ndërsa ata që dëshirojnë të pensionohen sipas kushteve aktuale të mos detyrohen të qëndrojnë më gjatë në marrëdhënie pune. Sipas saj, profesionet kanë kushte të ndryshme pune, prandaj nevojitet një qasje më fleksibile.

Ministrja paralajmëroi se sfida më e madhe për sistemin pensional mbetet situata e pafavorshme demografike. Plakja e popullsisë dhe ulja e numrit të qytetarëve në moshë pune, sipas saj, përbëjnë një rrezik serioz për qëndrueshmërinë afatgjatë të fondit pensional, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në shumicën e vendeve evropiane.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter