Forcat ruse kanë ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë dhe raketa ndaj Kievit gjatë natës, duke shkaktuar 13 të vrarë dhe mbi 30 të plagosur.
Sulmet goditën disa zona të kryeqytetit, ku u dëmtuan pallate banimi, automjete, si dhe objekte të tjera civile. Si pasojë e shpërthimeve u shkaktuan disa zjarre. Ekipet e kërkim – shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë 34 persona nga ndërtesat e goditura.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndërpreu vizitën e tij në Dublin.
“Kemi informacione për një tjetër sulm masiv rus. Dhe menjëherë pas kësaj bisede, po kthehem në Ukrainë. Sot, u kërkoj njerëzve tanë në Ukrainë të jenë veçanërisht të kujdesshëm, të qëndrojnë të sigurt dhe të mbrojnë familjet dhe familjet e tyre”, tha Zelensky.
Për situatën ka reaguar edhe përfaqësuesja e lartë e Unionit, Kaja Kallas e cila tha se sa më shumë që Moska sulmon civilët, aq më shumë sanksione duhen vendosur.
“Vetëm fjalët dënuese nuk do t’i ndalin sulmet ndaj Kievit. Vetëm mbështetja e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe presioni në rritje mbi Moskën mund ta bëjnë këtë. Sot, unë do të propozoj të sanksionohen më shumë subjekte që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë në përgjigje të sulmeve”, tha Kallas.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e sulmit ishin infrastruktura energjetike dhe objektet ushtarake të Ukrainës. Moska nënvizon se operacioni ishte përgjigje ndaj sulmeve të fundit ukrainase kundër objekteve energjetike ruse.






