Objekti i njohur si “Ali Tobako”, i vendosur mbi trotuarin në zonën e Bit Pazarit në Shkup, ka nisur të rrënohet, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski përcjell INA.
“Me një fjalë të mirë dhe me qasje të përgjegjshme, nuk ka zgjidhje të pamundura!”, shkroi shkurt Gjorgjievski në profilin e tij në Facebook, duke publikuar edhe pamje nga aksioni.
Kryetari i Qytetit të Shkupit kishte paralajmëruar që në muajin shkurt intensifikimin e aksioneve për largimin e objekteve të vendosura në mënyrë të paligjshme nëpër qytet, të cilat, sipas tij, ndër vite janë ndërtuar pa dokumentacion përkatës dhe kanë uzurpuar hapësira publike, shtigje për biçikleta, trotuare dhe sipërfaqe të gjelbra.
“Në Bit Pazar ndodhet një objekt i vendosur mbi shtegun për biçikleta dhe trotuarin, duke e bërë të pamundur lëvizjen normale. Ai do të hiqet. Kudo që konstatojmë uzurpim të hapësirës publike, do të veprojmë”, kishte deklaruar Gjorgjievski gjatë prezantimit të aksionit.
Rrëzimi i objektit në Bit Pazar është pjesë e fushatës së autoriteteve lokale për lirimin e hapësirave publike dhe largimin e ndërtimeve pa leje në territorin e qytetit.






