Komuna e Kumanovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pësuar dëme nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së djeshme, të parashtrojnë kërkesë pranë Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera, më së voni deri më 10 korrik 2026.
Kërkesat duhet të dorëzohen në arkivin e Komunës së Kumanovës. Bashkë me kërkesën, qytetarët duhet të dorëzojnë kopje të letërnjoftimit për personat fizikë, ndërsa personat juridikë duhet të bashkëngjisin vendimin ose gjendjen aktuale të regjistrimit nga Regjistri Qendror. Po ashtu, duhet të dorëzohet kopje e fletës së pronësisë për objektin e dëmtuar, si dhe kopje e llogarisë bankare të pronarit.
Nga Komuna bëjnë të ditur se, nëse dokumentacioni nuk është i plotë në momentin e dorëzimit të kërkesës, anëtarët e komisionit do t’i njoftojnë aplikuesit për plotësimin e dokumentacionit gjatë inspektimit në terren.
Përveç Shkupit, edhe Kumanova ishte ndër qytetet më të goditura nga stuhia e fuqishme që përfshiu vendin një ditë më parë. Reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje në disa lagje, duke përfshirë shtëpi, objekte afariste, bodrume dhe rrugë.
Sipas Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave, numri më i madh i denoncimeve kishte të bënte me depërtimin e ujit në objekte banimi dhe afariste. Në disa lokacione, niveli i ujit në bodrume arriti deri në një metër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ndër zonat më të prekura janë rrugët “Mosha Pijade”, “Bajram Shabani”, “Veselin Maslesha”, “Goce Dellçev” dhe “11 Tetori”, si dhe bulevardet “Revolucioni i Tetorit” dhe “Treta MUB”. Ndërhyrje është bërë edhe në rrugën “JNA”, ku ekipet e shpëtimit punuan për largimin e ujit të grumbulluar.
Në sanimin e pasojave u angazhuan Njësia Territoriale e Zjarrfikësve, ndërmarrjet publike “Pastërtia dhe Gjelbërimi” dhe “Ujësjellësi”, si dhe ekipet e EVN-së. Pas largimit të ujit, nisi pastrimi i rrugëve nga balta, rëra dhe zhavorri, pastrimi i pusetave dhe kanaleve kulluese, ndërsa në zonat ku pati derdhje të ujërave të zeza u krye edhe dezinfektimi.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, bëri të ditur se aktivitetet për pastrimin dhe sanimin e zonave të prekura do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.






