Prattipati: SHBA-ja qëndron me Kosovën, partneriteti ynë do të forcohet edhe më tej

featured
Press Online
30 Qershor 2026, 21:20

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës si një partneritet të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe synimin për një të ardhme më të sigurt e më të begatë.

Duke folur në pritjen solemne të organizuar në Prishtinë me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prattipati u shpreh se historia e Amerikës dëshmon se shtetet e lira dhe sovrane janë më të forta kur investojnë te qytetarët e tyre, ndërtojnë institucione të qëndrueshme dhe krijojnë mundësi për brezat e ardhshëm, njofton Dukagjini.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Prattipati tha se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë një lidhje të veçantë.

“Pak miqësi e pasqyrojnë më qartë këtë frymë sesa miqësia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës – një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besimin në një të ardhme të përcaktuar nga mundësia dhe siguria”, u shpreh ajo.

Ajo tha se gjatë vizitave të saj në Kosovë ka parë nga afër ndikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Kam parë vullnetarë të Korpusit të Paqes duke punuar krah për krah me komunitetet lokale, ish-pjesëmarrës të programeve të shkëmbimit të qeverisë amerikane duke udhëhequr me vizion dhe integritet, si dhe sipërmarrës e studentë të rinj që po sjellin ndryshim dhe inovacion”, tha Prattipati.

Sipas saj, njerëzit e Kosovës janë lidhja më e fortë mes dy vendeve.

“Populli i Kosovës është ura ndërmjet kombeve tona dhe dëshmi se vlerat që ndajmë – demokracia, kreativiteti dhe qëndrueshmëria – janë të gjalla dhe të fuqishme”, theksoi ajo.

Prattipati vlerësoi rolin e Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe tha se SHBA-ja mbetet një mbështetëse e fuqishme e shtetndërtimit dhe zhvillimit të vendit.

“Historia jonë na ka lidhur si kombe me të njëjtat synime dhe parime. Kosova ka qëndruar gjithmonë me Shtetet e Bashkuara, duke mbështetur prioritetet tona, duke kontribuar në misionet ndërkombëtare të sigurisë dhe duke investuar në arsim e teknologji. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta demokratike”, shtoi Prattipati.

Ajo theksoi se zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve janë fusha ku bashkëpunimi mund të zgjerohet edhe më tej.

“Ne qëndrojmë me Kosovën ndërsa ajo punon për të krijuar një ekonomi të begatë që tërheq investime dhe zgjeron mundësitë për të gjithë qytetarët e saj. Një Kosovë stabile, demokratike dhe e begatë nuk është vetëm e mirë për popullin e Kosovës – është e mirë për Evropën dhe është e mirë për botën”, u shpreh ajo.

Duke folur për të ardhmen, Prattipati tha se Kosova ka potencial të madh për të luajtur një rol udhëheqës në rajon.

“Investimi juaj në programin Fulbright, përkushtimi juaj ndaj inovacionit dhe roli juaj si eksportues i sigurisë tregojnë se Kosova nuk është vetëm një partnere, por një lidere e ardhshme në rajon”, tha ajo.

Ajo shtoi se mundësitë për bashkëpunim në fusha strategjike janë të mëdha.

“Ndërsa Kosova vazhdon integrimin e saj me komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim – veçanërisht në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji – janë të pafundme”, deklaroi Prattipati.

Në mesazhin drejtuar të rinjve të Kosovës, ajo tha se ata janë forca kryesore e së ardhmes.

“Ju jeni arkitektët e së nesërmes. E ardhmja do t’u përkasë atyre që mund të përshtaten, të inovojnë dhe të udhëheqin në një botë që ndryshon me shpejtësi. Kujdesi që tregoni për vlerat, zgjedhjet që bëni dhe ëndrrat që ndiqni do të formësojnë jo vetëm fatin e Kosovës, por edhe të ardhmen e partneritetit tonë”, shtoi Prattipati.

Në fund, ajo shprehu mirënjohje për miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Faleminderit për miqësinë tuaj, besimin tuaj dhe vizionin tuaj. Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe ja për 250 vitet e ardhshme”, përfundoi Anu Prattipati.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter