Arrestohet profesoresha e Universitetit “Goce Dellçev”, kërkoi 300 euro nga studenti për ta kaluar provimin

featured
Press Online
30 Qershor 2026, 12:49

Një profesoreshë e Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip është ndaluar pasi, sipas dyshimeve, ka kërkuar dhe pranuar para nga një student për t’i mundësuar që ta kalojë provimin.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se më 29 qershor, në orën 11:45, zyrtarë policorë nga SPB Shtip e kanë privuar nga liria T.A. (39) nga Shtipi, për shkak të ekzistimit të dyshimeve se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, përcjell PressOnline.al.

Rasti është denoncuar më 22 qershor nga K.B. (26), shtetas i Turqisë, i cili përkohësisht qëndron në Shtip dhe studion në Universitetin “Goce Dellçev”. Ai ka denoncuar se profesoresha i kishte kërkuar 300 euro për ta kaluar provimin, të cilin duhej ta jepte sërish më 29 qershor.

Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shtip janë ndërmarrë masa, me ç’rast studentit i janë dhënë tri kartëmonedha prej nga 100 euro, të përpunuara kriminalistiko-teknikisht.

Profesoresha është arrestuar menjëherë pas pranimit të parave. Ajo është ndaluar në stacion policor, ndërsa kartëmonedhat janë sekuestruar.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër saj do të parashtrohet kallëzim përkatës. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter