Nga ZNAM shpresonin për një kthesë në momentet e fundit, të pakënaqur me ofertën për të drejtuar Ministrinë e Bujqësisë në këmbim të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë, VLEN krenohet se do të ketë gjashtë ministri. Derisa për kryeministrin Hristijan Mickoski ndarja e resorëve me partnerët qeveritarë në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë është, në parim, një çështje e mbyllur, ndërsa VLEN jozyrtarisht tashmë përmend emrat e ministrave të rinj, në ZNAM ende shpresojnë për një ndryshim të mundshëm në çastet e fundit. Ata janë të pakënaqur me ofertën për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë në këmbim të Ministrisë së Drejtësisë, e cila pritet t’i kalojë VLEN-it, përcjell PressOnline.al.
Deri nesër në mbrëmje pritet të bëhen zyrtare zgjidhjet e reja kadrovike në Qeverinë e rikonstruuar të Mickoskit, si dhe të sqarohet nëse Kuvendi do të votojë vetëm për rikonstruimin e kabinetit apo për zgjedhjen e një qeverie të re, në varësi të numrit të ministrave që do të ndryshojnë.
Mickoski deklaroi se marrëveshja parimore me partnerët e koalicionit, VLEN dhe ZNAM, për ndarjen e resorëve është arritur, por emrat e ministrave të rinj do të bëhen publikë vetëm pasi të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
Mickoski nuk komenton pretendimet e VLEN-it
Kryeministri refuzoi të komentojë deklaratat e VLEN-it se Ministria e Drejtësisë përfundimisht do t’i takojë këtij koalicioni, si dhe ofertën ndaj ZNAM-it për shkëmbimin e këtij dikasteri.
“Ende nuk kemi biseduar për zgjidhjet personale dhe emrat. Marrëveshja parimore është vetëm për resorët. Siç kam thënë edhe më parë, derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as resorët e as emrat. Prisni deri nesër në orën 20:00 dhe opinioni do të njoftohet në detaje”, tha Mickoski.
Ai nuk konfirmoi as pretendimet se VLEN do të marrë një ministri më shumë, duke e çuar numrin e resorëve që do të drejtojë në gjashtë.
Sa u përket ndryshimeve në nivelet më të ulëta të pushtetit, si zëvendësministrat dhe drejtorët, Mickoski tha se gjatë këtij muaji fokusi mbetet te rikonstruimi i Qeverisë, ribalanci i Buxhetit dhe miratimi i disa ligjeve reformuese në kuadër të Agjendës Reformuese, ndërsa proceset e tjera do të vazhdojnë në shtator, pas pushimit veror të Kuvendit.
VLEN krenohet me gjashtë ministri
Nga VLEN tashmë kanë bërë të ditur se pas rikonstruimit do të drejtojnë gjashtë ministri: Mjedisin Jetësor, Ekonominë, Drejtësinë, Eurointegrimet, Kulturën dhe Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
Koalicioni do të humbasë Ministrinë për Qeverisje të Mirë dhe Ministrinë e Politikës Sociale, të cilat do t’i kalojnë VMRO-DPMNE-së, ndërsa në këmbim do të marrë Drejtësinë, Marrëdhëniet ndërmjet Bashkësive dhe Kulturën.
Sipas burimeve jozyrtare, për Ministër të Drejtësisë propozohet profesori universitar Jeton Shasivari, Faton Fazliu për Ministër të Kulturës, ndërsa për Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të zgjidhet njëri mes Agon Feratit dhe Bashkim Bakiut, në vend të Ivan Stoilkoviqit.
Në VLEN vlerësojnë se kanë dalë fitues nga negociatat duke siguruar pikërisht resorët e Drejtësisë dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Sipas burimeve të tyre, edhe pse gjatë negociatave ishte në tavolinë edhe mundësia e shkëmbimit të Ministrisë së Eurointegrimeve me atë të Sportit, në fund u vendos që zëvendëskryeministri Bekim Sali të vazhdojë të drejtojë Eurointegrimet.
Jozyrtarisht thuhet se Sali kishte ambicie të merrte Ministrinë e Shëndetësisë në vend të Azir Aliut, por VMRO-DPMNE këmbënguli që ky resor të mbetet jashtë negociatave.
Përplasje brenda VLEN-it, Bekim Sali mbetet anash
Nga ana tjetër, sipas burimeve jozyrtare, brenda VLEN-it ka pasur përplasje mes bashkëkryetarëve Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, nga njëra anë, dhe sekretarit të përgjithshëm Bekim Sali, nga ana tjetër.
Sali ishte i pakënaqur sepse Mexhiti dhe Kasami kishin zhvilluar negociatat pa konsultime me të. Ai kishte propozuar të hiqte dorë nga Eurointegrimet për të marrë Ministrinë e Shëndetësisë, por pasi kjo nuk u realizua, hoqi dorë edhe nga çdo rotacion tjetër. Më pas, Mexhiti dhe Kasami u tërhoqën edhe nga synimi për të marrë Ministrinë e Sportit, e cila mbetet te VMRO-DPMNE, ndërsa ende nuk dihet nëse në krye të saj do të vazhdojë të jetë Borko Ristovski.
Vetë Bekim Sali deklaroi gjatë fundjavës se ende nuk ka një vendim përfundimtar për ministritë e Drejtësisë dhe Kulturës, ndërsa theksoi se Ministria e Shëndetësisë nuk është pjesë e paketës së negociatave.
Ai shtoi se, përderisa bisedimet vazhdojnë, do të ketë ende tema të hapura, por ministritë e Mjedisit Jetësor, Ekonomisë, Drejtësisë, Eurointegrimeve, Kulturës dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive me siguri do t’i takojnë VLEN-it.
Stoilkoviq largohet duke thënë se e “pastroi” ministrinë
Ivan Stoilkoviq ndërkohë u përshëndet me funksionin përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se e ka rregulluar ministrinë dhe se ajo nuk është më një “zonë gri” e sistemit.
Ai theksoi se ka shfuqizuar Programin K-5, duke i dhënë fund praktikës “rri në shtëpi dhe merr pagë”, si dhe ka ulur trefish buxhetin e ministrisë.
Tek VMRO-DPMNE kalojnë ministritë e Qeverisjes së Mirë, Shëndetësisë dhe Politikës Sociale, ndërsa në këmbim ZNAM pritet të marrë Ministrinë e Bujqësisë.
Megjithëse nga VMRO-DPMNE thonë se oferta për Maksim Dimitrievskin është pikërisht Ministria e Bujqësisë, në ZNAM ende shpresojnë se mund të sigurojnë një resor tjetër.
ZNAM këmbëngulte ta mbante Ministrinë e Drejtësisë së bashku me ministrin aktual Igor Filkov, por kjo ishte e papranueshme për Mickoskin. Sipas burimeve, kryeministri mund të kishte pranuar që Drejtësia të mbetej te ZNAM vetëm nëse Dimitrievski do të propozonte një emër tjetër në vend të Filkovit.
Lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka deklaruar tashmë se pas rikonstruimit të Qeverisë, lëvizja e tij do të dalë më e fortë, si në aspektin kadrovik ashtu edhe në potencialin për të ushtruar pushtetin në ministri dhe në nivelet e tjera të administratës. (PressOnline.al)







